Kokainë në lokalet tallava të Tiranës, operacioni “Pazari i Mesnatës” arreston dy persona
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Pazari i Mesnatës”, duke vënë në pranga dy persona, të cilët shpërndanin kokainë në lokalet me muzikë tallava të Tiranës. Të arrestuar janë A. Zefi, 56 vjeç dhe Z. Bokaj, 30 vjeç, të dy nga Lezha. “Për shtetasit e lartpërmendur disponohej informacion se në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me veprimtari të kundraligjshme në fushën e narkotikëve, duke shpërndarë lëndë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë” në lokalet me muzikë dhe tallava, në zona të ndryshme të Tiranës. Në sajë të punës së mirëorganizuar hetimore është bërë arrestimi i tyre në flagrancë pasi në rrugën “Kongresi i Manastirit”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Audi”, brenda të cilit ndodheshin këta shtetas u gjet një qese me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë”, bën të ditur policia e kryeqytetit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestuar 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë, automjet tip “Audi” dhe tip “Renault”, dy aparate celularë, shkruan Top Channel. Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”.