Klodian Hoxha: Në serialin “The Prosecutor” jam nën petkun e një prokurori që do e donte çdo njeri i ndershëm, humbet shumë gjëra dhe rikthehet për hakmarrje
Prokurori është roli më i fundit i aktorit Klodian Hoxha në kinema. Një rol, që siç shprehet dhe vetë do mundohet të japë maksimumin për ta realizuar ashtu si duhet. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori i njohur Klodian Hoxha tregon për rolin e tij në serialin “The Prosecutor” me regji nga Fatmir Doga. Aktori vlerëson shumë bashkëpunimin dhe thotë se këtë herë i është besuar roli kryesor. Xhirimet e “The Prosecutor” sollën në Tiranë edhe aktorin e famshëm hollivudian Danny Glover. Një serial, që do të transmetohet në Netflix, ku aktori që luan ambasadorin amerikan dhe skuadra e tij xhiruan disa nga skenat në kryeqytet. Aktori Klodian Hoxha shprehet se është fat për aktorët në Shqipëri, që të vijnë aktorë të këtij kalibri, ku vlerëson eksperiencën ndërkombëtare të Glover. Por para rolit në “The Prosecutor” Klodian Hoxha ka qenë me xhirime dhe në filmin “Burri i shtëpisë” me regji të Andamion Muratajt. Ai tregon se veç aktorit, kishte edhe një rol tjetër në produksion që e ka ndihmuar ta shikojë të gjithë procesin e filmit. Klodian Hoxha është i njohur për publikun me role në skenën teatrore, por dhe në filma. Ai tregon se në vijim aktiviteti i tij artistik në kinema do vijojë me një tjetër film, për të cilin thotë se do të jetë një sfidë e madhe për të. I diplomuar për aktor, Klodian Hoxha thotë se kjo e ka bërë një studiues të mirë të jetës, e cila e ndihmon në krijimin e personazheve, të cilët ai interpreton.
-Vini me rolin e prokurorit në serialin “The Prosecutor “. Çfarë mund të na zbuloni më shumë rreth këtij personazhi?
Së fundmi m’u besua roli kryesor i serialit “The Prosecutor” dhe do jem nën petkun e prokurorit, që të gjithë do dashurohen me këtë rol. Prokurori këtu në këtë serial është një nga ata persona, që do e donte çdo njeri i ndershëm, por do ishte problem për pjesën tjetër si mafia e krimi. Unë humbas shumë gjëra në këtë seri të parë dhe rikthehem për hakmarrje në seritë e tjera. Kaq mund të zbuloj për momentin, është një serial i zhanrit aksion fiction, pritshmëritë janë të mëdha duke parë edhe sa është investuar në serinë e parë, që një meritë të veçantë zë edhe producenti Ylli Ujka, i cili e bëri të mundur këtë bashkëpunim.
-Ju keni role të ndryshme në kinema, por këtë herë jeni në rol në filmin ku luajnë aktorë të famshëm Hollivudian. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju dhe çfarë patë te puna e Danny Glover ?
Është fat për ne aktorët që në setet tona të vijnë aktorë të këtij kalibri, sepse edhe ne ballafaqohemi me ta duke parë procesin e punës që kanë, mënyrën e komportimit, etj. Në radhë të parë tek Denny Glover pashë një njeri të thjeshtë, që e deshte atë që bënte edhe kjo i jep vlerë të gjithë punës që ai ka bërë. Jam shumë i lumtur që ai është pjesë e serialit, sepse eksperienca e tij ndërkombëtare do na japë një dorë të mirë për ecurinë e serialit.
-Për ju si aktor me aktivitetin që keni sa kanë rëndësi këto bashkëpunime me aktorë të famshëm të Hollivudit?
Në radhë të parë përveç se është kënaqësi të luash me ta, por edhe bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm, sepse mund të jetë një derë tjetër diku nëpër botë, që mund të hapet për ne edhe shpresoj të jetë një ogur i mirë.
-Si ka qenë ky bashkëpunim me regjisorin Fatmir Doga. Në momentin, që ua propozoi rolin si e patë këtë personazh për aktivitetin tuaj në kinema?
Fatmiri ka bërë audicione për këtë serial si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë. Unë kam bërë audicion dhe pastaj jam takuar disa herë me të deri sa ai arriti të më besonte rolin kryesor edhe gjej rastin ta falenderoj. Ka qenë një punë shumë intensive për të gjithë, sepse është një sipërmarrje shumë e madhe, ka shumë aktorë dhe ngjarje të larmishme, por shpresoj ky serial do i mbajë mbërthyer të gjithë pas ekranit. Pastaj për mua është një oportunitet, është një rol që rrallë herë të vjen dhe do mundohem të jap maksimumin tim që ta realizoj ashtu siç duhet.
-Ku keni bërë xhirime për këtë serial në Shqipëri dhe çfarë mund të na thoni mbi premierën?
Xhirimet e këtij seriali janë bërë në Tiranë, Krujë, Bulqizë edhe Vuno. Që do të thotë që ka një larmishmëri lokacionesh, që për të huajt do jenë edhe egzotike. Për sa i përket serialit e thashë edhe më sipër që është një serial i zhanrit aksion fiction, i cili prek shumë tema të ndryshme, të cilat do i lë për një moment të dytë, pritet nga shtatori të kemi një përgjigje për këtë episod.
-Ju keni qenë më parë në xhirime dhe në filmin “Burri i shtëpisë” me regji nga Andamion Murataj. Çfarë mund të na zbuloni mbi personazhin tuaj me këtë projekt kinematografik, si vjen ai nga ju?
Po është e vërtetë se para dy muajsh mbylla edhe xhirimet e filmit “Burri i shtëpisë” me regji të Andamion Muratajt, që ishte një film i financuar nga Qendra Kombëtare e Filmit plus edhe tetë shtete të tjera që hynë. Këtë herë përveç rolit si aktor, kisha edhe një rol tjetër në produksion, ku më ka ndihmuar ta shikoj të gjithë procesin e filmit, sepse më përpara duke qenë aktorë nuk e dinim se si funksiononte në anën tjetër ata që janë të padukshmit, por më të rëndësishmit që kujdesen në çdo detaj, që ne të shkëlqejmë në ekran, ku edhe gjej rastin të falenderoj për punën e pa lodhur që bëjnë. Për mua ka qenë një eksperiencë e bukur, e cila më bën të rritem edhe më shumë profesionalisht. Ndërsa për personazhin mund të them që kisha rolin e Tomës një sekser, që merret me tregti aty në fshat, i cili donte të bënte një marrëveshje me Burrneshën, por për shumë arsye i dështon. Ai pastaj prish marrëdhënien me të, sepse burrnesha është boshti kryesor edhe të gjithë personazhet rrotullohen rreth tij.
-Po me regjisorin Andamion Murataj ku janë bërë xhirimet e filmit?
Xhirimet e filmit janë bërë në Zallherr, Bathore, Kamëz edhe Tiranë.
-Folët për dy projekte filmi, por për teatrin si do të vijojë këtë vit aktiviteti juaj. A kemi shfaqje të re?
Aktiviteti im artistik do vijojë me një film me të cilin fillojmë përgatitjet së shpejti, i cili do jetë një sfidë shumë e madhe për mua edhe për karrierën time, shpresoj që gjërat të ecin ashtu siç duhet. Regjia këtë herë mban firmën e Ergys Metës. Ndërsa përsa i përket teatrit jemi në një diskutim për një shfaqje, që shpresojmë nga tetori të fillojmë. Që është komedi edhe regji do jetë Elma Doresi këtë mund të them për momentin, sepse jemi akoma në diskutime, por do e merrni vesh së shpejti.
-Sa është e vështirë për një aktor si ju në kushtet sot aktiviteti me kinematografinë dhe teatrin?
Me thënë të drejtën kushtet nuk ja aq të përsosura, por dashuria për këtë profesion na i çon në plan të dytë, unë kam qenë aktiv edhe nga ana profesionale jam i kënaqur deri tani,por duhet parë edhe ana monetare.
-Nga diplomimi juaj si aktor dhe deri tani çfarë ka ndryshuar te Klodian Hoxha në jetën artistike. Si nisi ajo në fillimet pas shkollës dhe sot?
Diplomimi për aktor më ka bërë një studiues të mirë të jetës, e cila më ndihmon në krijimin e personazheve, të cilët i interpretoj. Kurse për sa i përket fillimit normalisht, që ka qenë vështirë, sepse kur kam mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë kemi marrë diplomën dhe kam qenë mes një udhëkryqi atë kohë. Vetëm Teatrit Kombëtar ka qenë edhe nuk ka pasur fare mundësi për ne të çanim aty, do na duhej një trampolinë. Por fatmirësisht morëm pjesë në një festival të rinjsh edhe aty fituam 3 çmime, si edhe çmimin kryesor shfaqja më e mirë. Aty ne na u hap një derë si teatri i Metropolit, që sapo ishte ndërtuar atë kohë dhe aty punuam disa vite me radhë, ku mundëm të afrojmë shumë publik edhe e ngritëm si institucion, por duke marrë dhe pjesë në festivale teatrore ndërkombëtare i kemi krijuar edhe nje emër atij institucioni jashtë Shqipërie, gjithashtu keni sjellë shumë çmime të rëndësishme. Ndërsa tani karriera artistike po ecën me ritmin e duhur dhe jam i lumtur për këtë, sepse kjo është ajo që kam dashur.
Intervistoi: Julia Vrapi