Klodian Duro përjashtohet nga gara e ‘Big Brother VIP’
Ish-futbollisti Klodian Duro u përjashtua nga gara e “Big Brother VIP” për shkak të deklaratave tronditëse për dhunën.
Duro – i arrestuar në 2020-n për shkelje të urdhrit të mbrojtjes dhe për kanosje – kërcënoi në “Big Brother VIP” duke thënë: “Ruajuni nga unë se unë kur kam rrahur gruan time, e di si më dukeni ju?”.
Përmes një zarfi të zi, produksioni i BBVA njoftoi:
“Banorë, gjatë darkës pas spektaklit mbrëmë është dhënë një deklaratë e rëndë, e papranueshme që bie ndesh me rregullat e programit si dhe me normat e shoqërisë ku jetojmë. Big Brother ka vendosur të skualifikojë nga gara në mënyrë të menjëhershme Klodian Duron. Big Brother i tërheq vëmendjen të gjithë banorëve të kësaj shtëpie të jenë shumë të kujdesshëm në fjalët dhe veprimet e tyre që lidhen me dhunën.”
View this post on Instagram
Përpara se të bëhej pjesë e shtëpisë, ish-futbollisti përmendi akuzat për dhunë, por preferoi të mos i komentonte. Deklaratat e fundit po kritikohen jo pak nga njerëzit nëpër komente online.
Sipas raportimeve nëpër media, më 24 mars 2020, Duro shkoi në banesën e ish-bashkëshortes, duke e kanosur këtë të fundit e cila lajmëroi policinë. Duro pretendoi se kishte shkuar në banesën e ish-gruas për të takuar fëmijët. Në prill, gjykata e Apelit në Tiranë caktoi masën e “arrestit në shtëpi”.
Në një pjesë të mirë të komenteve, ndjekësit vlerësojnë veprimin e produksionit të BBVA, ndërkohë që ka edhe të tjerë që theksojnë se një personazh i akuzuar për dhunë nuk duhej të ishte bërë pjesë e programit.
Anabelmagazine