Klodian Duro, kot kërkove falje, nuk e paske ti fajin!

Ngaqë nuk e dija fare kush ishte Klodian Duro, nuk dija as që emri i tij, përveçse si futbollist, ishte bërë mediatik në vitin 2020 kur është arrestuar nga Policia e Tiranës për shkelje të urdhërit të mbrojtjes dhe për kanosje.

Asokohe 43-vjeç, Duro u denoncua nga ish-bashkëshortja, e cila kërkoi ndihmën e policisë që të ndërhynte. Ai ka qenë i divorcuar me partneren dhe prej mosmarrëveshjeve të përsëritura, kjo e fundit ka marrë urdhër mbrojtjeje nga gjykata.

Më 24 mars të vitit 2020 Duro ka shkuar në banesën e ish-partneres së tij, i ka rënë derës dhe e ka kanosur për jetë. Ish-gruaja e tij ka telefonuar policinë dhe ka kërkuar ndihmë.

Më pas, ajo ka firmosur edhe kallëzimin ndaj Duros, i cili ka dalë para gjykatës i akuzuar për dy vepra penale. Ai ka shkelur një verdikt gjykate, e cila pasi i kishte dhënë urdhër mbrojtjeje, e urdhëronte ish-futbollistin mos t’i afrohej ish-bashkëshortes.

Pra, Klodian Duro nuk paska pasur faj që e ka bërë bisedë tavoline dhunën që ka ushtruar ndaj ish gruas, sepse rasti ka qenë publik! Nëse ka fajtor janë vetëm ata që përzgjedhin emrat. Përveçse nuk do humbiste askush asgjë nga mungesa e pranisë së Klodian Duros në Big Brother apo kujtdo futbollisti tjetër, një kërkim minimal për degradime të këtij lloji, duhet bërë.

Më shumë se fama, janë dhjetëra artikuj virtualë që tregojnë për arrestimin e këtij njeriu. Sipas policisë, ky shtetas, ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas dhe e ka përndjekur në menyrë të vazhdueshme. Çfarë ka pretenduar produksioni, se është rehabilituar!? Të dalin ata të kërkojnë falje, jo Klodiani, ai ka kryer punë sido që siç ka qenë do të vazhdojë të jetë. Asgjë nuk ndodh rastësisht, as vetëm një herë! / Ani Jaupaj

living.al