Klea Huta i rrëmben programin motrës së Dren Abazit, aventura e xhirimeve nis nga Miami Beach
Klea Huta duket se është në momentet më të mira jo vetëm në jetën personale, por edhe atë profesionale. E komentuar shpesh për lidhjen me kantautorin Elgit Doda, së fundi, ajo përveç muzikës ka nisur punën për programin e ri televiziv në “Top Channel”.
Fillimisht u përfol se rolin e prezantueses në këtë emision të ri do e bënte motra modele e këngëtarit të njohur Dren Abazi, Rina Abazi, por tashmë është fakt që prezantuese do të jetë Klea. Ajo ka postuar në “Instagram” foton pas mbërritjes në Miami Beach ku do të bëjnë xhirimet e para bashkë me stafin e punës, që kryesohet nga producenti i projektit, fotografi i njohur, Artan Korenica.
Sipas burimeve brenda televizionit, ky program do të ketë gjithsej 12 puntata dhe do të intervistohen 12 personazhe që jetojnë jashtë Shqipërisë. Mesa duket, kjo do të jetë një verë aventureske për Klean dhe stafin e emisionit, pasi ata duhet të udhëtojnë në vende të ndryshme të botës si Amerika, Anglia, etj. për xhirime dhe intervista. Flitet se disa nga personazhet që do t’i bashkohen këtij formati, pra, që do të jetë protagonistë me rrëfimin e historive të tyre të suksesit nëpër botë janë: Emina Cunmulaj, Angela Martini, Ermonela Jaho, etj..
Kështu, me nisjen e sezonit të ri televiziv, Klea Huta do të rikthehet në “Top Channel”, aty ku provoi veten e saj disa vite më parë si showgirl. Pasi e kemi parë si prezantuesen e “Gjeniut të vogël” në “Tv Klan”, tashmë do e shohim në programin e ëndrrave për çdo prezantuese që ka qejf udhëtimet dhe që u dedikohet personazheve shqiptarë që janë bërë të njohur jashtë vendit.
Në programin me titull “Top of The Top” do të rrëfehen histori të paimagjinueshme suksesi të vajzave të bukura dhe me famë nga Shqipëria e Kosova. Nuk dihet arsyeja pse u anulua bashkëpunimi me Rinën, e cila në fillim u komentua si zbulim nga produksioni. Edhe pse në Shqipëri ajo nuk njihet ende, në Kosovë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës Rina preferohet nga fotografët e stilistët si një nga modelet me bukurinë origjinale, e cila ka pozuar për sete fotosh artistike e marka të njohura ndërkombëtare.Ndërkohë që fotografi dhe producenti i programit të ri, Korenica, realizoi set fotosh prezantimi për secilin personazh dhe po ashtu edhe me vetë Rinën, plani për të ndryshoi. Për “Panorama Plus” ai tregoi detaje nga ky spektakël i ri, për të cilin ende nuk është thënë një datë e saktë se kur nis transmetimin në ekranin e “Top Channel”.
“Jemi duke përgatitur 12 emisione me 12 personazhe VIP nëpër botë. Sa i përket Angela Martinit, ajo është njëra nga protagonistet e 12- VIP-ve dhe jo prezantuesja, siç u fol fillimisht në media. Sa i përket photoshoot-it të realizuar posaçërisht me 12 personazhet, mund të them se photoshoot-i është pjesë e konceptit të emisionit”, tregoi producenti Korenica.