Klaus Gjasula rrëfen ndjesitë e ndeshjes me Kroacinë: “Kishim mundësi për të fituar”

Klaus Gjasula ishte dje futbollisti i ndeshjes, i cili na dhuroi emocione të papara. Fillimisht, në minutën e 76, ai bëri autogol, duke e çuar Kroacinë në avantazh e mandej, në shtesë, i dhuroi golin e barazimit kombëtares sonë. Ndeshja u mbyll me rezultatin 2-2.

Në një intervistë për Panorama Sport, Gjasula tregoi për emocionet që përjetoi gjatë një përvoje të tillë të pazakontë.

“Ishte një lojë e shkëlqyer. Ndeshja shkoi 1-0 për ne. Më pas, e kthyen ata (kroatët), ndërsa në fund arritëm të barazonim. Kishim edhe disa kundërsulme të mira për të shënuar golin e tretë, pra, ishte një ndeshje me shumë emocion. Minutat e para ishin të vështira. Jo vetëm autogoli, por edhe për disa situata që s’i bëra mirë. Faleminderit Zotit që më dha mundësinë të bëj këtë golin”, u shpreh ai.

Më tej, Gjasula pranoi se në 55-60 minutat e para kombëtarja bëri një lojë më të mirë, më pas e humbi pak kontrollin.

Klaus ka hyrë në historinë e kampionatit europian si futbollisti që ka shënuar autogol dhe gol në të njëjtën ndeshje, sipas OPTA.

Anabelmagazine