Klaudja Duro: Si i shpëtova kafshimit të gjaprit gjatë performances me cirkun “Bellucci”, u tkurr, hapi gojën dhe…

Ajo njihet si “vajza e zjarrit” në jetën e natës, por tani shumë e quajnë “vajza e gjarpërinjve”, pas performancave në clube me trupën e cirkut të famshëm italian, “BELLUCCI”. Akrobatja e Cirkut të Tiranës Klaudja Duro, e cila së fundi ndezi atmosferën e “Top Show Magazine” me akrobaci e zjarr, tregon për “Story” se si e ka përjetuar këtë eksperiencë duke luajtur me gjarpërinjtë më të rrezikshëm që ekzistojnë. 25 vjeçarja për më shumë se një dekadë si akrobate, është e lakmuara e këngëtarëve për përformancat e rrezikshme në klipe, ndërsa tregon se si shpëtoi kafshimit të gjarprit në një nga shfaqjet e saj.

Si ishte eksperienca jote vitin e kaluar me akrobatët e cirkut italian “Bellucci”, të cilët të zgjodhën bashkë me motrën për turin e tyre në Shqipëri e Kosovë?
Një ditë morëm vesh se një ndër cirqet më të mira të Italisë “BELLUCCI” vjen të japë aktivitetin e tij në Shqipëri. Pasi ndoqëm shfaqjen e tyre, pas një jave i ftuam artistët dhe drejtuesit e cirkut italian të ndiqnin shfaqjen tonë. Kur panë shfaqjen më kishin zgjedhur mua dhe motrën të ishim pjesë e turneut te tyre për disa muaj. Ishte vlerësim profesional që mbahet mend gjatë. Përveç performancave tona të ajrit ne ekzekutuam bashkë me artistët italianë performancën e zjarrit, gjarpërinjve dhe magjisë. Kobra, piton, taipan bianco, corale rosso, janë disa nga gjarpërinjtë me të cilët kam pasur performance skenike.
Të kemi parë të luash me zjarrin, po si ishte të performoje me gjarpërinj të rrezikshëm?
Në fillim ishte e frikshme duke dëgjuar dhe duke ditur pasojat dhe risqet që mund të hasësh në skenë, por sërish skena të motivon. Për mua ishte hera e parë që prekja një gjarpër.
Mësove ndonjë sekret si duhet të sillesh me ta për të mos i egërsuar?
Po shumë. Mësova që gjarpërinjtë mbahen në një temperaturë kostante, ku përshtatet me trupin e tyre, as shumë ftohtë dhe as shumë nxehtë.
Po ndonjë incident me ta kujton?
Po. Kur po përformoja në Kosovë në verë, ishte shumë vapë. Gjarprin po e mbaja në qafë të varur dhe trupi ishte i nxehtë nga temperatura. Ai filloi të tkurrej dhe u shkurtua shumë. Ishte hera e parë që më ndodhte një gjë e tillë, pasi kisha 20 ditë që performoja.
Dhe çfarë ndodhi me gjarprin?
Hapi gojën dhe ktheu kokën nga dora ime… Në atë moment u tremba, por duhet ta hiqja shpejt nga qafa. E kapa me njërën dorë pak lart kokës, dhe me dorën tjetër pak larg bishtit. Pas pak gjarpri shkoi në gjatësinë që ishte. Mësova që kur ai tkurret është egërsuar, dhe po përgatitet të të shtrëngojë.
Dihet që gjarpërinjve që përdoren për show ua heqin helmin. Pavarësisht këtij fakti janë të rrezikshëm?
Po e vërtetë që gjarpërinjve për show ua heqin helmin tek dhëmbët, por fakti që s’kanë helm s’do të thotë që s’janë të rrezikshëm, sepse arma e tyre e fortë është shtrëngimi.