Klaudia Pepa ndan emocionet e të qënit një aktore në kinemanë italiane

Kush nuk e kujton emocionin e madh që balerina shqiptare na dha të gjithëve nga skena e “Amici” në Itali, 5 vjet më parë, në një garë dyfish sfiduese për të. Së pari, sepse i duhej t’u tregonte të gjithëve që baletin nuk e kishte thjesht dhe vetëm pasion, por edhe sepse vinte nga një vend i vogël, i cili, sido që të jetë, talentet i ka të panumërta.

Krahas shumë emrave të tjerë të njohur në fushën e baletit, edhe Klaudia i hapi vetes një dritare të re në Itali, në televizion e jashtë tij. Shumë producentë i propozuan projekte nga më të ndryshmet balerinës së njohur shqiptare, ndonëse ajo vetë vendosi t’i hidhte hapat ngadalë e të matur. Një fillim një akademi me emrin e saj që trajnon balerinë, projekte bashkëpunuese në televizionet italiane, interpretime të suksesshme në çdo shfaqje… Por edhe shumë më shumë se aq.

Jo domosdoshmërisht për supersticion, por është mësuar me atë kulturë pune që projektet t’i zbulojë atëherë kur rruga ka nisur. Edhe këtë herë, Klaudia këtë bëri. Prej pak kohësh, balerina e njohur shqiptare ka lajmëruar se shumë shpejt, do ta shohim edhe në një film. Klaudia, aktore?

Nuk është çudi të ndodhë kështu, ndonëse ajo veten nuk e mendon dot kurrë jashtë baletit. Është pasioni dhe profesioni të cilit i ka kushtuar jetën. Por edhe nëse i ofrohet diçka tjetër, me siguri për një kohë, sepse pastaj i duhet të kthehet te “shtëpia e saj e ngrohtë”.

Ama shijon çdo eksperiencë dhe këtë e ka treguar gjithmonë. E tregon edhe këtë herë në një intervistë për RevistënClass, nw tw cilwn ndan emocionet e një filmi që pritet të nisë transmetimet së shpejti. Klaudia është një hacker-e, me të cilën do të përballen të gjithë ata që do të bien “viktimë” e saj.

Dua të ndaj me ju një lajm të mrekullueshëm. Më në fund ëndrra ime po realizohet dhe në fund të muajit do të realizoj filmin tim të parë. Jam shumë e lumtur dhe e emocionuar. Dua t’ju falënderoj ju dhe familjen time për mbështetjen që vazhdoni të më jepni…

Ky ishte vetëm lajmërimi parë i një projekti shumë të rëndësishëm për Klaudian që i ndryshoi kahun balerinës së njohur. Vetëm për momentin dhe për një kohë të shkurtër apo ambiciet shkojnë edhe më lart? Tashmë, filmi është në montazh dhe së shpejti do të nisë transmetimi. Si u gjend në këtë eksperiencë të re, në një treg ku kinemaja është ndër më të ndjekurat e më ambiciozet në botë, Klaudia e rrëfen ekskluzivisht për revistën Class.

Klaudia dhe kinemaja – ka qenë ëndërr e hershme, qëllim për t’u përmbushur apo erdhi fare rastësisht?

Ka qenë një ëndërr që në fëmijëri të isha protagoniste në një film baleti si “Honey” apo “Black swan”. Në këtë periudhë të jetës sime, vendosa të studioj aktrim dhe mendova: edhe nëse nuk bëhem një aktore në të ardhmen, do të më shërbejë për të zgjeruar dhe zhvilluar shkollën time të baletit, si një Akademi të Arteve. Por unë e njoh veten, ambicien time dhe besoj që ky rrugëtim do të jetë më i gjerë.

Si e gjete veten në kinemanë italiane dhe sidomos në një thriller?

Isha shumë e lumtur në set, zemra më rrihte fort. Ishte hera e parë dhe emocioni mbetet i rrallë. Nuk e mendoja kurrë që filmi im i parë do ishte thriller, por ja që gjërat marrin forma të ndryshme gjatë rrugës.

Kush ta propozoi rolin në film?

Realizova një audicion për këtë film, por nuk isha e sigurt nëse do ia dilja. Thosha me vete ‘është akoma herët të jem në skenë si aktore”. Më pas, regjisori me komunikoi rolin dhe unë pranova me shumë kënaqësi.

Sa i ngjan Klaudias personazhi i filmit, keni të përbashkëta?

Mendoj që ky rol ishte një sfidë për mua. Mendova që nuk isha shumë e përshtatur për rolin e Françeskës (haker), por studimi dhe roli i aktorit në këtë rast bëri që t’i afrohem sadopak.

Si shkuan xhirimet (duke pasur parasysh masat anti-Covid), kur do të transmetohet filmi?

Xhirimet kanë mbaruar, u zhvilluan në muajin gusht. Tani, filmi është në fazën e montazhit dhe mendohet të dalë në nëntor për publikun. Nuk pata fatin të xhiroja me aktorët e tjerë, për shkak të masave të Covid-19, kemi xhiruar veç e veç në një mënyrë të veçantë. Produksioni ishte i detyruar të zhvillonte punën në këtë mënyrë. Vetëm dy protagonistët kanë pasur pjesë xhirimesh bashkë.

Klaudia në krah të një serial killer-i, apo Klaudia balerina?

Klaudia balerina më pëlqen si tingëllon dhe shpresoj ta mbaj sa më gjatë këtë mbiemër. Roli im në film është Françeska, hakeri që është gjithmonë në kompjuter për të ndihmuar në investigimin e vrasësit.

Të ka lëkundur ky rol për ta lënë mënjanë baletin apo për të hequr dorë?

Absolutisht jo! Baleti është primar për mua. Zgjohem duke u stërvitur, gatuaj duke kërcyer, dëgjoj muzikë gjithë kohës, është pasion i pashterur.

Çfarë të pret pas këtij filmi, synon të jesh gjithmonë pjesë e kinemasë?

Synoj kinemanë, tashmë është një zgjedhje e sigurt. Shpresoj t’ia dal dhe mos të zhgënjej askënd. Di që familja ime më mbështet dhe beson tek unë, publiku gjithashtu. Kështu që është përgjegjësi e imja.

Në kinemanë shqiptare të është propozuar ndonjë rol deri tani?

Akoma jo, por do të më pëlqente.

Cili është roli që nuk do ta luaje kurrë nëse do të propozohej?

Nuk di të them për momentin, por do të zgjedh gjithmonë rolet që më bëjnë të ndihem mirë dhe më dhurojnë emocione të mira.

revista class