Klaudia Kalia: Prisja fitoren, si më penalizoi votimi politik i jurisë në “Miss Grand International”
Klaudia Kalia përfaqësoi Shqipërinë më 25 tetor në “Miss Grand International”, konkursi i bukurisë që u organizua në Myanmar e ku marrin pjesë misse nga e gjithë bota. Klaudia jo vetëm u pëlqye nga mediat ndërkombëtare, por edhe u vlerësua si më e bukura me bikini dhe u rendit në “Top 10” nga votat e publikut, përpara se të fillonte kjo garë, që klasifikohet në “top 3” eventet më të rëndësishme në botë. Klaudia është e njohur për publikun, pasi vitin e kaluar ajo u zgjodh “Miss Grand Albania 2017”, por mosha e vogël e penalizoi që ta përfaqësonte Shqipërinë. Megjithatë këtë vit ëndrra e saj u bë realitet, ndaj në lidhje me përjetimet e një konkursi të përmasave botërore dhe planet e reja në Gjermani ajo i zbulon për “Panorama Plus”.
Sa e shijove këtë garë bukurie me publik ndërkombëtar?
Ishte një garë që do të mbetet gjatë në memorien time. Nuk besoj se do të kem një rast tjetër të përjetoj një eksperiencë të tillë. Nuk e kam pritur që në një vend aq të largët të kisha një publik aq të madh që t’më pëlqente. Kjo ishte ndjesia më e mirë që kam përjetuar. Gara ishte shumë e fortë, kishte shumë vajza të bukura.
Mes këtyre vajzave të bukura, çfarë spikatën ndryshe te pamja jote?
Ajo që njerëzve iu pëlqeu më shumë tek unë ishin flokët dhe trupi im. Unë jam 1.80 e gjatë, jam aktivizuar jashtë vendit, përveçse në Shqipëri si modele.
Për çfarë do ndjesh nostalgji nga kjo garë që shoqërohet me ethet e votimit nga juria?
Normalisht ishte një eksperiencë ndryshe. Një vend me një kulturë tjetër e shumë ndryshe nga Shqipëria dhe Europa përgjithësisht. Por ajo çfarë ka bërë që kjo eksperiencë të mbetet e paharrueshme për mua ishte pëlqimi i madh që mora nga publiku atje, ku mes 80 shteteve pjesëmarrëse të isha ajo më e dashura nga njerëzit. Kurrë nuk e prisja që në një vend aq të largët të kisha aq shumë adhurues të tillë sa të vinin me postera nëpër duar me fotot e mia. E për më tepër, kishte momente, që, kur më takonin “live”, brohorisnin në një mënyrë të çmendur dhe aq shumë “Albania“ sa më bënin dhe mua për të qeshur.
E imagjinoje realisht fitoren dhe u mërzite që s’ishe ti ajo që vendose kurorën e më të bukurës?
Kur isha më e pëlqyera nga publiku dhe bëra për vete më shumë fansa dhe adhurues të çmendur se të gjitha shtetet, normalisht që prisja dhe fitoren. Por në momentin kur kuptova që juria votonte me politika dhe sipas shteteve fqinje, atëherë u binda që s’do isha unë fituesja.
Pas këtij konkursi do të qëndrosh në Shqipëri apo ke plane jashtë vendit?
Së shpejti kam në plan të lëviz jashtë Shqipërisë. Plani im më i afërt është një projekt në Gjermani që ka të bëjë me një shoë televiziv, më të madhin në Gjermani dhe ndër më të mëdhenjtë në gjithë botën, që ka të bëjë me modën. Unë do të jem pjesë e këtij shoë televiziv./Panorama Plus