Klajdi Musabelliu premton se do të rikthehet fuqishëm: Do t’ja nis nga zero

Klajdi Musabelliu publikoi pak ditë më parë projektin e tij më të ri me titull “E di”.

Ky është projekti i dytë pas “Lucky”, publikuar tre muaj më parë, që erdhi pas një pauzë të gjatë në muzikë. Në një lidhje me Skype për “Abc-ja e mëngjesit”, me moderatorin Alban Musa, këngëtari ndau detaje nga ky projekt. Më tej, ai u ndal dhe tek planet e së ardhmes.

Edhe pse është prej vitesh pjesë e skenës shqiptare dhe ka ndërtuar një karrierë të suksesshme, këngëtari tha se ka vendosur t’ja nisë gjithçka nga zero për të risjellë një dimension tjetër të vetvetes. “Do të rikthehem, t’ja rinis nga e para, nga zero. Duke qenë se jemi në 2021, trendet në kohë janë më të ndryshme nga ato që lëvroj. Janë trende të caktuara, nuk janë tejet komerciale dhe kanë nevojë për një vëmendje pak më të gjerë.”, tha ai.

“Jo çdo muzikë të bën të kërcesh, të pish apo qeshësh dhe këtë e quaj një rinisje nga zero. Dua të krijoj një profil timin që e kam lënë pas dore dhe pse nuk e kam bërë padashje pasi jam marrë me shumë gjëra.“, tha këngëtari.