Kjo video e Dafina Zeqirit e tregon qartë sa toksikë mund të jenë komentuesit

Dafina Zeqiri është vënë në shënjestër të komentuesve “symprehtë” dhe është akuzuar se ka bërë një ndërhyrje estetike në buzë. Pas kësaj, këngëtarja është përgjigjur përmes një videoje në TikTok.

Ajo u shpreh: “Dje përdora një filtër që i bën buzët e mia të duken shumë të mëdha. Komentet ishin të pabesueshme, të pahijshme dhe më së shumti vinin nga gra që më ndjekin (?). Bulliste. Merruni me fytyrën dhe me filtrat tuaj. P.S. Kur të bëheni 33 vjeç dhe të mos bëni botoks dhe filler, ejani dhe flisni me mua”. Mbishkrimi i postimit ritheksoi edhe njëherë shkrimin e videos: “Merruni me fytyrën dhe filtrat tuaj. (fytyra ime, jo e juaja)”.

Kështu, Dafina e tregon qartë sa toksike janë komentet të cilat “po u hyjnë në xhep” personazheve të famshëm. Gjithmonë, çdo ditë, në çdo postim, njerëz, vajza, djem, burra dhe gra, pas tastierës virtuale zgjedhin të vjellin vrer mbi personazhet publikë, duke anashkaluar faktin se edhe ata kanë jetë, ndjenja dhe lexojnë komentet e gjithsecilit.

I gjithë ky toksicitet në rrjetet sociale ka ndikim në jetën e personazheve publikë, të cilët edhe nëse zgjedhin të ndërhyjnë në tiparet e tyre, e bëjnë me vetëdije, dëshirë të plotë dhe pa marrë mendimin e ndjekësve, njësoj siç çdokush prej nesh merr vendime mbi jetën e vet. Kultura e komentimit të pamjes së njerëzve të tjerë është pa diskutim një nga problemet më të mëdha, të cilin e hasim rëndom në jetën reale dhe atë virtuale.

Edhe më shqetësues është fakti që vajza dhe gra, zhvishen totalisht nga feminizmi dhe marrin guximin të mendojnë komentin më të pahijshëm dhe pa asnjë mëdyshje, ta shkruajnë në rrjetet sociale të grave të tjera. I gjithë vreri virtual tregon një mllef që nuk ka një bazë, por vetëm një gjykim momental, të cilin komentuesit thjesht e bëjnë.

Në këtë epokë, ku gratë kanë më shumë nevojë për njëra-tjetrën, ndoshta duhet të bëhemi më mendjehapura dhe të kuptojmë që pas çdo komenti bullist, qëndron një tjetër grua/ personazh i njohur, i/ e cili/ a ka një jetë jashtë rrjeteve sociale dhe komenteve që kanë si qëllim denigrimin e një individi.

Anabelmagazine