Kjo është Zamira, gruaja që shpenzoi 18 milionë Euro në dyqane luksi
Zamira Hajiyeva është gruaja që ka shpenzuar 18 milionë Euro për 10 vite në Harrods, një rrjet dyqanesh luksoze në Londër. Sipas të dhënave të autoriteteve britanike, brenda një dite Zamira ka shpenzuar 200 mijë Euro duke blerë parfume, orë dhe stoli. BBC raporton se ajo është objektivi i parë i ligjit të ri në Mbretërinë e Bashkuar kundër korrupsionit.Me origjinë nga Azerbajxhani, Zamira është bashkëshortja e një ish-bankieri. Zamira Hajiyeva humbi betejën ligjore që emri i saj të qëndronte anonim, por mediat britanike argumentuan se publiku duhet të njohë faktet e plota të kësaj dosje. Zamira rrezikon që të humbasë shtëpinë e saj në Londër që kushton plot 15 milionë Dollarë dhe një fushë golfi në Berkshire nëse nuk arrin që të shpjegojë origjinën e pasurisë së saj. 55-vjeçarja dhe bashkëshorti i saj Jahangir Hajiyev duhet të japin arsye të forta se si mundën të blenin shtëpinë e tyre në lagjen më të shtrenjtë të Londrës.
Një ligj i ri i Mbretërisë së Bashkuar synon të zbulojë zyrtarët e huaj të dyshuar si të përfshirë në korrupsion, të cilët kanë pastruar paratë në Britaninë e Madhe. Ligji i ri i detyron këta persona që të tregojnë dhe justifikojnë pasurinë e tyre. Nëse një zyrtar i huaj i dyshuar për korrupsion apo familjarë të tij nuk mund të vërtetojnë burimin e pasurisë, atëherë Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani kërkon në Gjykatën e Lartë që të konfiskojë pronën.Jahangir Hajiyev është ish-kryetar i Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit. Ai u burgos në vitin 2016 pasi u dënua me 15 vite si pjesë e një skeme mashtrimi ku u përvetësuan milionë Euro nga banka. Gjykata e urdhëroi gjithashtu që të paguajë 39 milionë Dollarë. /tvklan.al