Kirurgia që shkruan poezi, Anisa Liço publikon “Për ty”, dedikuar të voglës së saj
Një nga momentet më të bukura në jetë është kur bëhesh Nënë. Askush nuk e kupton fuqinë e kësaj fjale të shenjtë, deri në momentin që e provon. Por, sigurisht që pothuajse të gjitha ato gra që janë bërë nëna e dinë se çfarë do të thotë të ndjesh mbi supe përgjegjësinë absolute dhe sakrificat deri në vetëmohim për përkushtimin dhe përkujdesjen ndaj një foshnje aq të vogël që përveç se të fal dashurinë e të gjithë botës, pagjumësia, lodhja, pasiguria, frika e shumë ndjenja të tjera si këto janë pjesë e paketës.
Dr. Anisa Lico, tashmë e njohur për këshillat e saj mjekësore nëpërmjet artikujve të ndryshëm që ajo publikon, rekomandon të shkruarin si një nga mënyrat më efektive për të larguar emocionet negative, apo qoftë edhe mbingarkesat emocionale në jetën e përditshme për të gjithë ata të cilët po kalojnë një moment të vështirë dhe ndihen të mbingarkuar dhe të stresuar, por sidomos për të gjitha Nënat. Sipas doktoreshës, të shkruarit se çfarë ju streson, por më e rëndësishmja të shkruarit se për çfarë jeni mirënjohës në jetë, lehtësojnë ankthin dhe stresin duke zvogëluar kështu mbingarkesën emocionale. Të shkruarit se për çfarë dikush është mirënjohës dhe falenderues në jetë, i jep një konotacion pozitiv të gjithë asaj ngarkese emocionale dhe e vendos situatën e vështirë në njëkornizë emocionalisht të bukur dhe pozitive. Dr. Anisa thekson se, “shkrimi në një copë letër ose një ditar të përjetimeve gjatë ditës ndihmon në qartësimin e mendimeve dhe të përgatit për të marrë vendime të logjikshme; ndihmon në procesin e kuptimit të emocioneve dhe mënyrës se si ato bëhen të vetëdijshme; u jep guximin për të iniciuar veprime për të realizuar ëndrrat dhe për të kapërcyer vështirësitë; si dhe të gjitha këto shkrime do të shërbejnë në të ardhmen si një regjistër ose ditar i cili do t’ju kujtojë se si e keni ndihmuar veten në të shkuarën dhe njëkohësisht si një udhëzues i mirë dhe ndihmues në të ardhmen. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet pikërisht menaxhimit të stresit në workshopin, që doktoresha pritet të zhvillojë së shpejti.
Vetë doktoresha ka zgjedhur pikërisht shkrimin dhe poezinë si forma më e bukur për të përshkruar ndjesitë e përjetuara dhe reflektimet e saj mbi fenomenet e ndryshme shoqërore, sidomos pas ardhjes në jetë të vogëlushes së saj. Dr. Anisa Lico vjen pranë lexuesve tashmë në një formë tjetër duke u prezantuar me botimin e saj të parë, vëllimi poetik, “PËR TY”, duke dëshmuar që përkrah profesionit si kirurges, di të operojë me mjeshtëri edhe te fjala poetike. Poezia i merr formë kryesisht nga frymëzimi që i jep vajza e saj e vogël, ku shpirti i krijueses sakrifikohet deri në pafundësi për të, e behet pikë referimi për shoqërinë dhe familjen./www.story.al