Kirurgët transplantojnë zemrën e derrit te një njeri
Mjekët amerikanë transplantuan një zemër derri te një pacient si përpjekje e fundit për t’i shpëtuar jetën, ndërkohë që spitali në Maryland u shpreh se pacienti është në gjendje të mirë tre ditë pas operacionit eksperimental.
Ndonëse është shumë herët për të ditur nëse operacioni do të funksionojë vërtet, ai shënon një hap më tej në përpjekjen e gjatë për të përdorur organet e kafshëve për transplante që shpëtojnë jetën. Mjekët në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland-it thonë se transplanti tregoi se zemra e një kafshe e modifikuar gjenetikisht mund të funksionojë te njeriu pa u refuzuar menjëherë nga trupi.
Pacienti, David Bennett, një burrë 57-vjeçar nga Maryland, e dinte se nuk kishte asnjë garanci që eksperimenti do të funksiononte, tha djali i tij për Associated Press. “Ose do të vdes ose do të bëj këtë transplant. Unë dua të jetoj. E di që nuk ka siguri, por është zgjedhja ime e fundit,” tha Bennett një ditë para operacionit.
Javët e ardhshme do të jenë kritike dhe mjekët po monitorojnë me kujdes se si po funksionon zemra. Përpjekjet e mëparshme për transplantime të tilla – ose ksenotransplantim – kanë dështuar, kryesisht për shkak se trupat e pacientëve e kanë refuzuan me shpejtësi organin e kafshës. Megjithatë duhet thënë se në vitin 1984, Baby Fae, një foshnjë që po vdiste, jetoi 21 ditë me një zemër babuni (lloj majmuni).
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e cila mbikëqyr eksperimente të tilla, lejoi operacionin me autorizimin “përdorim i dhembshur”, një autorizim që jepet për rastet kur një pacient me një gjendje kërcënuese për jetën nuk ka mundësi të tjera për të jetuar.
anabelmagazine