“Kini besim tek ai, është një specialist i jashtëzakonshëm për ekipet e vogla”, rrëfimi i Agollit për mediat azere: Ju tregoj të ardhmen

Ansi Agolli është si në shtëpinë e tij kur flitet për Azerbajxhanin. Këtë kombëtare në vijim do ta drejtojë ish-trajneri i tij dhe i Shqipërisë, Xhani de Biazi.

Në një intervistë për mediat vendëse, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare ka komentuar zgjedhjen e Azerbajxhanit për të marrë italianin në krye të stolit, mundësinë që ai të jetë në stafin e italianit si dhe planet që ka në Amerikë. Pas qëndrimit për thuajse nëntë vite në Azerbajxhan, Agolli është optimist se De Biazi, me cilësitë dhe karakterin që ka, do të gjejë futbollistët e duhur për të arritur objektiva madhorë.

Xhani de Biazi, ish-trajneri juaj te Shqipëria, është vendosur të marrë drejtimin e Azerbajxhanit. Si ju duket?

Nuk më surprizon ky lajm. Thjesht habitem se si do ta gjejë mundësinë për të ardhur deri në Azerbajxhan për shkak të kushteve aktuale prej pandemisë.

Ka fluturime speciale nga Stambolli…

E kuptoj, në rregull atëherë.

Çfarë mendoni për De Biazin?

Kam folur me të para disa kohësh, madje para një interviste të bërë me ju kur më pyetët rreth tij dhe që nga ajo bisedë, nuk besoj se ka ndryshuar shumë (qesh…).

Atëherë ai ishte vetëm një kandidat për Azerbajxhanin…

Në fakt, Xhani është një zgjedhje e shkëlqyer për Azerbajxhanin. Është një trajner shumë i mirë dhe një njeri që e di shumë mirë punën e tij. Kini besim tek ai.

A mund të ketë De Biazi suksese me përfaqësuesen azere?

Ju them se ai është një specialist i jashtëzakonshëm. Sidomos për të ashtuquajturat ekipe të vogla. Është një “qen i punës”. Është një njeri, si të thuash, i uritur për të punuar.

Nuk mund të gjendet askush tjetër më familjar me Azerbajxhanin sesa ju te Shqipëria. Do të pranonit nëse De Biazi ju fton në staf?

Nuk e di akoma. Unë kam nënshkruar një kontratë të re me Nju Jork Kozmos dhe do të luaj akoma edhe për një tjetër sezon. Gjithashtu, në shtator kam planifikuar që të hap një akademi timen. Për momentin, është një periudhë me shumë impenjime për mua.

Keni luajtur te Shqipëria me De Biazin për thuajse 6 vite. Çfarë karakteri ka?

Është një njeri i përgjegjshëm në punë dhe një trajner që i do gjërat e qarta. E përsëris edhe një herë që për mua nuk është aspak habi që federata ia besoi De Biazit postin e trajnerit.

De Biazi arriti ta çonte Shqipërinë në Europian në më pak se pesë vite. Mendoni se do ta arrijë të njëjtën gjë edhe me Azerbajxhanin?

Tani është e vështirë të bësh parashikime, sa u përket kualifikueseve. Sidomos gjatë kësaj periudhe pandemie. Por, e përsëris që Xhani punon në mënyrë të shkëlqyer me ekipe si Azerbajxhani.

Në kohën kur ai drejtoi Shqipërinë, pati shumë lojtarë që luanin jashtë vendit. Çfarë do të gjejë De Biazi në Azerbajxhan?

Azerbajxhani ka futbollistë nga skuadra e Karabakut dhe Neftçit, të cilët e dinë se çfarë do të thotë që të luash për ekipin kombëtar. Në edicionin e Europianit me Shqipërinë, në 2016- ën, ne nuk kishim ndonjë yll special në ekip, por besuam se mund të arrinim të kualifikoheshim. Unë mendoj se lojtarë të tillë ekzistojnë në Azerbajxhan. Kjo mund të mjaftojë për ta çuar ekipin në finalet e një turneu të madh.

PANORAMASPORT.AL