“Këto shfaqje shtojnë presionin mbi Solskjaerin”, Nevil kundër Ronaldos: Nuk ka nevojë të na bëjë skena
Geri Nevil thotë se zemërimi i Kris tiano Ronaldos pas barazimit 1-1 me Evertonin nuk bën asgjë tjetër veçse shton presionin ndaj trajnerit Ole Gunar Solskjaer dhe nuk i bën mirë skuadrës. Në ndeshjen e parë në Premier Ligë që tekniku norvegjez vendosi ta kursente yllin portugez, duke e hedhur në fushë vetëm në pjesën e dytë, 36-vjeçari iu drejtua i zemëruar tunelit, duke murmuritur. Por ish-shoku i tij i skuadrës, Geri Nevil, i tërheq veshin sulmuesit për egoizmin e tij.
“Unë e ndoqa ndeshjen dhe pashë largimin e tij drejt tunelit. Nuk mund të them se më pëlqeu. A është Kristiano Ronaldo i mërzitur kur ai nuk luan? Po. A është Kristiano i mërzitur kur nuk shënon? Po. A është Kristiano i zemëruar kur skuadra nuk fiton? Sigurisht. Ne i dimë këto gjëra.
Ai nuk ka nevojë për ta provuar këtë. Ai largohet nga fusha, duke murmuritur me veten, diçka që ngre pikëpyetje. Çfarë është duke thënë? Me kë është zemëruar? Kjo mund vetëm t’i bëjë dëm trajnerit. Kristiano është mjaftueshëm i mençur sa për të ditur se veprime si këto do të shkaktojnë presion direkt mbi trajnerin, më shumë sesa ai ka aktualisht.
Situata është kjo që është, por unë mendoj se kjo është diçka që duhet menaxhuar gjatë muajve të ardhshëm. Kristiano nuk do të shënojë gjithnjë dhe ndoshta ai mund të mos luajë në çdo ndeshje. Por nëse ai do ta lërë fushën në atë mënyrë, do të ushtrojë presion të jashtëzakonshëm mbi Ole Gunar Solskjaerin”, shkruan ish-kapiteni i “Djajve të kuq” për “Sky Sports”.
“Mendoj se ai duhet të flasë me Kristianon dhe t’i thotë: ‘Shiko, hajde flasim në dhomat e zhveshjes’. Por Kristiano nuk është një dele. Ai do t’i shfaqë pakënaqësitë e tij dhe mungesën e lumturisë me situata të tilla”, përfundoi ish-mbrojtësi i Mançester Junajtidit.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO