Këto ditë vendoset e ardhmja e Rei Manajt, Interi pret një “nder” nga sulmuesi kuqezi
E ardhmja e Rei Manajt është plotësisht në ajër, pasi për momentin nuk është e qartë se ku do të vazhdojë karrierën e tij sulmuesi i përfaqësueses shqiptare. Largimi i tij nga Barcelona dukej i sigurt, por miqësoret e fundit kanë bërë që në Spanjë tashmë të qarkullojnë zëra se Kuman kërkon qëndrimin e lojtarit.
Por nëse ai do të zgjedhë të largohet, ofertat nuk mungojnë. Në Spanjë është Kadiz, në Portugali është Famalikao dhe në Itali janë dy klube që janë interesuar për të, Venecia dhe Sasuolo. Të gjitha janë alternativa të mira për sulmuesin shqiptar, që nuk e ka fshehur dëshirën e tij që të kthehet një ditë si protagonist në Serinë A.
Një dëshirë që ish-skuadra e tij, Interi, shpreson që ai ta realizojë këtë verë, duke iu bashkuar Sasuolos. Interi është i interesuar direkt që ai të shkojë te kjo skuadër. pasi afrimi i Manajt mund t’i lehtësojë punën për të siguruar firmën e një prej lojtarëve të Sasuolos. Interi kërkon të riun Xhanluka Skamaka nga Sasuolo dhe afrimi i Rei Manajt do të bënte të mundur që marrëveshja për të finalizohej shpejt. Ndaj zikaltërit po shohin me interes zhvillimet e fundit te Barcelona dhe ofertat që merr Manaj, pasi nga ato do të varet edhe një prej planeve të tyre për të ardhmen.
PANORAMASPORT.AL