Këtë nuk e prisnim nga Marina Vjollca, gafat dhe bllofi në “C’est la Vie”

Spektakli i shumëpërfolur “C’est la Vie” nisi sot në mbrëmje në ekranin e “Tv Klan”, nën prezantimin e Marina Vjollcës. Edhe pse ish-prezantuesja e “Procesi Sportiv” në “Top Channel” e komentoi këtë projekt të ri si trofeun e artë në dorën e saj, jo vetëm që nuk na impresionoi sonte, por ishte larg parashikimeve të publikut. E pushtuar nga emocionet në skenë, Marina nuk mundi dot ta fshihte pasigurinë e një peshe të tillë televizive, ndërkohë që nuk munguan gafat dhe shqipja jo e pastër në prezantim. Nata vazhdoi me garën e këngëtarëve profesionistë përkrah VIP-ave mes të cilëve; Anxhela Peristeri, Ori Kuçi, Big Mama, Era Rusi, Ylli Limani, Jona Spahiu, Lind Islami, Ervin Bejleri, Erisa Xhixho, Flori Mumajesi, Erik Lloshi, Skerdi Faria, Aulona Musta, Fatma Haxhialiu, Xhieldo Hyseni, etj. Më e rëndësishmja është se produksioni na e shiti muzikën dhe performancat si live, por rezultoi një bllof pasi gjithçka ishte me playback. Burime brenda produksionit dëshmuan për “Story.al” se në fakt spektakli nuk ishte live. Për ta mbyllur me jurinë që vëllezërit Pandi e Bledi Laço kishin “kompozuar” për këtë show. Aleksandër Lalo, Altin Goci, Rovena Lule, dhe amerikania e spektaklit (pas shqipes të së cilës u mahnit Marina), u ulën sot në panelin e gjykuesve të dysheve VIP. Nuk e dimë se sa dinamike dhe interesante do të jetë kjo katërshe, por me mirë këndvështrimin për ata vetë po ia lëmë Altin Gocit, i cili për natën e pare u shpreh se, “po vazhduam kështu me komente pozitive do të dalim si pa lidhje”. Vetë Marina u duk se ishte dakord me “jurinë pa lidhje” duke ia kthyer Gocit se: “Kështu po më duket edhe mua, por në fund të spektaklit do t’ju duhet të vendosni pikë për performuesit…”.