Kërkoi të lirohej nga kontrolli i të atit, Britney Spears humb betejën në gjyq

Britney Spears e ka humbur betejën në gjyq përsa i përket kujdestarisë së saj. Pavarësisht kërkesës së këngëtares, që mos të ishte më në kontrollin e të atit, Jamie Spears, gjykata e Los Angeles refuzoi të bënte ndryshime. Kjo do të thotë që babai i saj do të kontrollojë çdo biznes apo çështje personale të këngëtares deri në seancën e radhës në shkurt 2021.

Prej disa muajsh, fansat e këngëtares nisën fushtën #FreeBrintey (Lironi Britney-n), pasi mendojnë se ajo keqtrajtohet dhe nuk i jepet asnjë e drejtë humane nën kujdestarinë e të atit. Pas vendimit të gjyqit, Britney ka falenderuar fansat për mbështetjen, edhe pse nuk përmendi çështjen:

“Më duket sikur do e shohim këtë kohë në karantinë si një fazë të madhe tranzicioni për jetët tona. Nuk e dimë se kur gjërat do rikthehen në normalitet, por po qëndrojmë pozitivë dhe po mësojmë shumë për veten tonë! Sa për mua, dua të falenderoj të gjithë fansat e mi të dashur që janë kaq të mrekullueshëm! Jua ndiej zemrën dhe e di që ju e ndjeni timen. Faleminderit për mbështetjen.”

Britney është nën kontrollin e të atit që në 2008, pasi doli nga përkujdesja psikiatrike, duke qenë se mendohej se ishte e paaftë emocionalisht dhe mendërisht për t’u kujdesur për veten. /News31.al