Këngëtari i njohur shqiptar kundër masave: “Do filloj të këndoj nëpër lokale, kush infektohet të izolohet në shtëpi”

Një nga sektorët më të prekur nga pandemia e Covid-19, jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë botën, është ai i muzikës dhe organizimit të eventeve. Pak ose aspak artistë kanë mbajtur koncerte përgjatë këtij viti, ndërsa të shumtë kanë qenë ata që e kanë ngritur zërin për këtë problem, duke theksuar faktin që janë pa punë dhe pa të ardhura prej kaq kohësh. Së fundmi ishte Fifi që u përfshi në një debat me ndjekësit, pasi performoi në Ferizaj, ndërsa tani është këngëtari Labinot Tahiri, i cili mesa duket ka vendosur që pavarësisht rregullave anti-Covid, të nisë të këndojë sërish dhe të mbajë koncerte.

Artisti, i njohur ndryshe edhe si Labi, ka postuar në Instagramin e tij ditën e djeshme disa pamje nga disa koncerte që ka mbajtur, duke i pyetur fillimisht fansat nëse i ka marrë malli për performancat e tij dhe duke bërë me dije se këtë javë do nisë të këndojë “live” në clube.

Në postimin pasardhës ai thotë se numri i të infektuarve në Kosovë është rritur nga fushata politike, ndërsa këngëtarët që kanë respektuar masat nuk punojnë. Për të ka ardhur momenti që të nisin sërish të performojnë dhe kush sëmuret, të izolohet në shtëpi. Labi shprehet se kjo është puna e tyre dhe duhet të dërgojnë të ardhura në shtëpi, ndërsa duke nisur koncertet mund të ndihmojnë edhe mijëra persona që kanë mbetur pa punë.

Ai e quan këndimin si vaksinën më të mirë, jo vetëm ndaj virusit.

Ndërkohë nuk nguron t’i bëj thirrje sektorit të shërbimeve dhe kolegëve të tij t’i bashkohen, ndërsa i drejtohet edhe atyre që mund ta gjobisin si pasojë e këtij vendimi që ka marrë.

Kjo nuk është hera e parë që Tahiri del kundra masave të Covid-19, pasi ka organizuar edhe një protestë pak muaj më parë, sërish për të njejtin problem.

/News31