Këngëtari habit me deklaratën: ‘Alienët më kanë vënë në shënjestër se jam i famshëm’
Prej vitesh, këngëtari i grupit “Take That”, Robbie Williams, ka tërhequr vëmendjen me deklaratat e tij në lidhje me jetën jashtëtokësore.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe së fundmi. Robbie Williams ka pretenduar se alienët e kanë ‘shënjestruar’ për të qenë i dërguari i tyre në Tokë për shkak të famës dhe pamjes së tij të bukur.
“Shpesh pyes veten nëse kjo ndodh për shkak të famës sime”, është shprehur ai.
Robbie beson se alienët e përndjekin pasi duan që me influencën e tij t’i tregojë botës të vërtetën mbi ekzistencën e tyre. Këngëtari 50-vjeçar ka deklaruar edhe herë të tjera se beson tek alienët dhe ka pasur disa kontakte me jashtëtokësorë.
Para disa vitesh ai ka pretenduar se alienët e kanë rrëmbyer dhe kanë komunikuar me të në lidhje me të ardhmen e njerëzimit.
Në një rast tjetër këngëtari është shprehur se dikur ka parë një UFO aq afër tij, sa mund ta godiste me top tenisi. Gjithashtu, ai ka thënë se në kohën kur po shkruante këngën “Arizona”, një dritë e fortë “vizitoi” studion ku po punonte.
Megjithatë, në një intervistë të dhënë në vitin 2019, Robbin tha se kur ka bërë deklarata të tilla ka qenë nën varësinë e substancave narkotike, si edhe alkoolit.
Edhe pse ka qenë disa herë në rehabilitim duket se për këngëtarin ishte më e vështirë të shkëputej nga këto varësi të cilat shpeshherë i kanë shkaktuar shumë probleme gjatë karrierës së tij.
Ora News