“Kënga Magjike 2025” vjen me një surprizë: Anna Gjebrea në rolin e prezantueses!

Festivali i famshëm “Kënga Magjike” rikthehet këtë vit me një risi të veçantë: Anna Gjebrea, vajza e producentit dhe prezantuesit të mirënjohur Ardit Gjebrea, do të jetë në krye të prezantimit të edicionit të vitit 2025.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Anna ka emocionuar ndjekësit me fjalët e saj, duke rrëfyer se për të “Kënga Magjike” ka qenë gjithmonë më shumë se një festival – ka qenë një pjesë e jetës.

“Që kur kam lindur, Kënga Magjike ka qenë pjesë e jetës time. Çdo vit kam qenë pjesë e këtij festivali, por në backstage, ku vinin jo vetëm emocionet, por edhe të gjitha problemet e këtij festivali,” – shprehet Anna në videon zyrtare.

Ajo shton me humor se e vetmja frikë që ka për skenën është të mos i shpëtojë ndonjë “babi” drejtuar Arditit në vend të “Ardit”.

Anna Gjebrea nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar. Ajo ka përfaqësuar Shqipërinë në Junior Eurovision 2021 me këngën “Stand by You” dhe është rritur pranë botës së muzikës falë angazhimit shumëvjeçar të të atit, Ardit Gjebrea.

Vetë Anna thotë se i di përmendësh këngët e çdo edicioni të festivalit dhe se ka kënduar dy herë në skenën e tij, por këtë herë përvoja do të jetë ndryshe:

“E prisja momentin kur do të dilja për herë të tretë në atë skenë dhe me sa duket, kjo është e treta e vërtetë. Do të prezantoj dhe do të këndoj.”

Ky edicion i Këngës Magjike sjell një emocion të veçantë edhe për vetë Ardit Gjebrean. Pas shumë vitesh si drejtues, producent dhe figurë ikonë e këtij festivali, ai këtë vit do të ndajë skenën me vajzën e tij, duke e parë atë të rritet profesionalisht përballë publikut shqiptar.

Arditi është shprehur në intervista të mëparshme se ka mbështetur gjithmonë pasionet e vajzës së tij për muzikën dhe performancën, por gjithashtu i ka qëndruar pranë me këshilla për të mbajtur këmbët në tokë dhe për të ndërtuar karrierën me përkushtim.

Festivali pritet të sjellë risi, artistë të rinj dhe të afirmuar, por mbi të gjitha – një përvojë të re me Anën në qendër të vëmendjes. Të prezantosh dhe të këndosh në të njëjtën skenë, e sidomos në një prej eventeve më të mëdha muzikore në vend, është një sfidë e madhe. Por për Anën, kjo është një mundësi për të shkëlqyer dhe për të treguar se pasioni për muzikën dhe skenën është pjesë e gjakut.

Bordo