Kënga Magjike 2019: Shqiptarët e kanë problemin me grekët apo me këngët e këqija në greqisht?
Andreas Drakopoulos është artisti i parë grek që merr pjesë në “Këngën Magjike.” Kënga e tij quhet “Mono dipla sou” dhe është përshkruar nga disa fansa si këngë buzuku, e padenjë për festivalin dhe për më tepër, e pakuptimtë pjesëmarrja në greqisht në një festival shqiptar.
Në komentet nën postimet që promovuan këngën e tij në YouTube e Instagram, fansat ishin të dyjëzuar. Në dallim nga ata që e pëlqyen, ata që s’e pëlqyen përfshinë në kritikë dhe faktorin e gjuhës apo faktin që kënga nuk mund të përfaqësonte më shumë se kaq kulturën greke. Këto faktorë ngjallën dyshimin se mos komentuesit po tregoheshin rracistë ndaj një populli që është treguar për vite me rradhë rracist ndaj nesh.
Të dielën, një tjetër këngëtare greke mori pjesë në “Këngën Magjike.” Maria Kiou performoi “Mallon Trelenomai” dhe nuk e ekzagjerojmë kur themi se u lëvdua nga të gjithë. Asnjë koment negativ për të, këngën, gjuhën, askund.
Pse ndërruan mendje krejt papritur shqiptarët? Pse nuk përdorën të njëjtat argumenta si më sipër?
Duke folur me gjithë objektivitetin e mundshëm, kënga e Marias është shumë herë më e bukur se e Andreas, performanca është më e fuqishme, zëri më mbresëlënës e prezenca skenike më e plotë. Fansat s’e kanë pasur në asnjë moment problemin me këngët greke apo me grekët pjesëmarrës, por me realizimet e jo cilësore.
/anabel