Kënga e Endri dhe Stefi Priftit pjesë e dokumentarit më të ri të Nicholas Sparks!
Të ftuar në “Pardon My French” me Jonida Aliçkollin dhe Elona Duron ishin të ftuar vëllezërit Endri dhe Stefi Prifit.
Ndër të tjera ata folën dhe për projektet e të ardhmes ku më interesanti ishte ai i pjesëmarrjes në dokumentarin e autorit të njohur Nicholas Sparks.
Nga librat e tij janë realizuar filma të njohur si Mesazh në shishe, Një shëtitje e paharrueshme, I dashur Xhon, Kënga e fundit etj. Gjithmonë në majën e klasifikimeve ndërkombëtare, Nicholas Sparks ka treguar se është mjeshtër i pakundërshtueshëm i ndjenjave dhe librat e tij duhen e pëlqehen nga lexuesit e të gjithë botës.
Vëllezërit Prifti do të bëhen pjesë e një dokumentari nga autorit dhe këtë e zbuluan për herë të parë ekskluzivisht për TAR. Kënga titullohet “Triumfi i jetës” dhe do të bëhet pjesë e dokumentarit pikërisht për mesazhin e fortë që përcjell sa i takon situatës që po kalon tani bota.
“Në rrethana të caktuara këtë këngë e ka dëgjuar Nicholas Sparks dhe ka bërë një vlerësim të jashtëzakonshëm për muzikalitetin dhe interpretimin. Ai po bën një dokumentar për pandeminë dhe siç na është thënë ka mundësi të jetë një nga kolonat zanore,” – tregoi Stefi.