Kelvi Kadilli nxjerr zbuluar Ermal Mamaqin, i bën listën e ideve të vjedhura për “Xing”
Debati mes Ermal Mamaqit dhe moderatorit të “Pop Culture” në “Top Channel”, Kelvi Kadilli bëri bujë dy ditë më parë në portalet e mediave rozë. Ishte Kadilli, i cili nëpërmjet një videoje në Instagram thumbonte Mamaqin se ky i fundit kishte imituar një nga pyetjet e tij të famshme: “A e bën çiçin në dush?”, në emisionin e fundit “Xing” kur në studio kishte të ftuar koreografin, Albi Nako. Ai shkroi në Instagram statusin se, “Imitimi është forma më e lartë e adhurimit”, por përgjigjia që Ermal Mamaqi dha për Kelvin ishte me kundërpyetjen “Kush është ky?” Por përgjigjen se cili është, Kelvi Kadilli ia ka dhënë Ermalit në emisionin e tij “Pop Culture”. Ai iu përgjigj me një insert ku kishte renditur idetë e vjedhura, që Ermali ka përdorur përgjatë gjithë sezonit të ri dhe të vjetër në emisionin e tij. Kelvi transmetoi një insert ku lojrat e bëra në “Xing me Ermalin” krahasoheshin me emisionet e huaja të “Ellen Degeneres Show” dhe “Jimmy Fallon Show”. Kështu loja me gotat me ujë që Ermali realizoi në emisionin e 25 shtatorit me Marina Vjollcën, rezulton të jetë e ngjashme me lojën që Jimmy Fallon ka bërë me Lindsay Lohan në mars të 2014-ës. Inserti i Kadillit u mbyll me disa prej intervistave të tij në “In Tv” sezonin e kaluar, ndërsa u bënte të ftuarve të njohur pyetjen: “A e bën çiçin në dush?”. Le të shohim nëse do t kemi një përgjigje nga Ermali pas kësaj.