Keisi Mejdini: Unë princesha e mbretit OTR në pritje të kurorës, si arrita të fitoj zemrën e Noizy-t
Ai është mbreti i grupit të repit OTR, ndërsa ajo është princesha në fron në pritje të kurorës. Keisi Mejdini është e përzgjedhura e këngëtarit më të pëlqyer dhe të shtrenjtë të momentit Rigels Rajkut (Noizy), një dyshe që ka bërë shumë zhurmë këto kohë. Komentuesit në rrjetet sociale po e cilësojnë si vajza e bukur me zërin brilant, që ka zëvendësuar Enca Haxhinë në krah të Noizyt, por Keisi ka të tjera gjëra për të thënë. Ndajnë të njëjtat hobe dhe pasione, duke filluar nga muzika e deri tek zemra e madhe për të bërë bamirësi për fëmijët në nevojë, e shumë shpejt mund t’i shohim në duetin e vitit. Për afrimitetin me Noizy-n tek të 30-at, planet dhe të ardhmen në muzikë, vajza e bukur e këngëtarit të njohur Sabian, rrëfehet ekskluzivisht për revistën “Story”.
Shumë konfuzion ka krijuar në rrjetet sociale deri tani mosha jote. Sa vjeç je realisht Keisi?
Unë jam e datëlindjes 15.08.2000.
Flitet se po zëvendëson Enca Haxhinë në krah të Noizyt. Si është e vërteta?
Pak pyetje e sikletshme kjo, pasi nuk kam ndërmend të bëhem zëvendësuese e askujt. E them këtë pasi nuk kam asgjë kundra askujt që ka qenë pjesëtare e grupit “OTR”, dhe tashmë nuk është më. Këto gjëra u përkasin atyre, jo mua.
Ti si ndjehesh si pjesë e OTR, u gëzohesh në maksimum këtyre ditëve?
Aty ku unë ndodhem tani, pra si pjesë e grupit OTR, jam për të krijuar karrierën time si Keisi, e jo për të zënë vendin e dikujt. S’do më pëlqente të zëvendësoja askënd, e përsëris. Thjesht me punë dhe nëse do të isha vërtet e përzgjedhura e Noizy-t për ndonjë nga këngët e tij në duet, do të ishte kënaqësi për mua.
Kjo do të thotë që ju po punoni edhe për ndonjë duet surprizë?
Për këngën s’di ç’të them akoma. S’jap dot përgjigje. Ai i di të gjitha. Unë thjesht kam kohë, shpejt është. (qesh) Gjithsesi e di që është komentuar bashkëpunimi me Noizy-n, por s’kemi përse të komentojmë përderisa s’ka asgjë konkrete. Më mirë do të ishte të komentohej pasi të ishte diçka faktike. S’di ç’të them më shumë. Nëse ka kureshtarë për këtë bashkëpunim le të presin. Ndoshta edhe mund të ndodhë. (qesh)
Dihet që një vajzë mes djemve të OTR bën përshtypje. Si sillen ata me ty?
Tashmë, faleminderit Zotit, që djemtë e grupit më kanë emëruar “Princesha OTR”! (qesh) Pse jo në të ardhmen mos të mbaja dhe kurorën. Shkurt OTR jam dhe s’e luan as topi, madje “princesha e grupit OTR”, siç e thashë më sipër, më kanë pagëzuar kështu djemtë e grupit, vëllezërit e mi që më bëjnë vërtet të ndihem princeshë mes tyre.
Je vajza që po komentohesh shumë këto kohë jo vetëm për pamjen si modele, por edhe për talentin si këngëtare. Me cilën artiste me famë e sheh veten të ngjashme?
Kam pëlqimet e mia dhe preferencat e mija për muzikën është normale, por s’besoj se kam ngjashmëri me ndonjë emër specifikisht. Ende s’ka filluar karriera ime e muzikës, kështu që shpresoj të krijoj origjinalitetin tim. Dhe kjo do të ishte më mirë besoj!