Kastro Zizo: S’kam vuajtur kurrë për të “kapur” një femër, kë dua e kam
Pas klipit “Konga e çajit” me Tsunamin, Klevis Bega, i njohur si Kastro Zizo, po punon për të tjera projekte muzikore me ide speciale. E deri në lançimin e tyre, ai i dorëzohet diellit, detit dhe rërës. Për të ardhmen si deputet i Kuvendit, statusin e babait, ëndrrat e netëve të verës që bën realitet, menaxhimin e parave që shkojnë e vijnë, femrat që arrin t’i bëjë të tijat, dashurinë dhe seksin, ai flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Arratia jote e verës është vetëm me shokë, apo dhe me shoqe?
Me shokë e me shoqe. Me rëndësi është që të mos jesh kurrë vetëm për të bërë e jetuar çdo moment, ndonjëherë edhe me plot idiotësi.
Shohim që një nga shokët e tu më të ngushtë është djali yt Dankan. Deri në ç’nivel arrijnë bisedat tuaja babë e bir, duke qenë se ai është ende i vogël në moshë?
Është e vërtetë që më është kthyer në një shok të mirë. Unë gjithmonë kam qenë me parimin që raporti prind-fëmijë nuk duhet të kalojë caqet apo të arrijë ne nivele “shokë të ngushtë”, pasi ndryshe shokët e ngushtë s’do ekzistonin. Marrëdhënia ime me Dankan është ndonjëherë dhe shumë delikate, duke qenë se ai edhe pak futet në adoleshencë. Kështu, shpesh unë rrëmbehem nga impulsiviteti im dhe harroj që vetëm “dje” isha dhe unë si ai. Me rëndësi është fakti që kuptohemi dhe duhemi shumë.
Çfarë i ke mësuar për marrëdhëniet e tij me femrat kur të rritet?
Është ende herët që unë t’i bëj biseda femrash, megjithatë e ngacmoj nga pak. Ai i ngjan babit dhe marrëdhëniet do t’i ndërtojë vetë pa ndihmën e “plakut”!
Vera është stina jote e fantazisë apo është thjesht stina e konsumit të njerëzve dhe gjithçkaje?
Bohhh… nuk hyn te stinët e mia të preferuara. Madje, shpesh më bezdis. Unë nuk shoh shumë fantazi te vera, fundja femrat zhvishen më shumë.
Një natë vere perfekte për një film romance si do të ishte për ty?
Verë, mal, hithra, raki dhe qielli sipër meje!
Me kalimin e viteve, dashuria dhe seksi janë bërë një për ty, apo janë distancuar gjithmonë e më shumë?
Sigurisht që janë të ndara… Ndonjëherë edhe miksohen dhe nëse ndodh, do të thotë që gjendja është ok.
I shtrirë në shezlong, duke parë femrat seksi të të parakalojnë para syve, është pamje eksituese apo ngopëse?
Është pamje rutinë, edhe jashtë shezlongut…
Me kalimin e viteve je më i suksesshëm me femrat, apo tani të duhet të lodhesh më shumë për t’i bërë të tuat?
S’kam vuajtur dhe s’besoj se është momenti që do të filloj të vuaj për të “kapur” një femër. Nëse dua diçka apo dikë, gjithmonë e kam.
Paratë shkojnë e vijnë, por kur i ke në duar për çfarë i shpenzon?
Kohët e fundit për gjëra shtëpiake dhe mirëqenie. Sigurisht, duke i kursyer për shkollimin e fëmijëve.
Je shprehur se mund të jesh deputet i Kuvendit në të ardhmen. Do t’i votoje projektligje të tilla si;:legalizimi i drogave, shtëpive publike dhe lejimin e martesave gay?
Patjetër, por sigurisht duke i parë me kujdes pikat para përpunimit të ligjit përkatës /PANORAMA PLUS