Kastro Zizo: Dashuria që më deh pasi lashë alkoolin është ajo që vjen si rezultat i tre muskujve, tru, zemër dhe…
Nga muzika si mënyra më e bukur për të dhënë mesazhe sociale si aborti, tek politika për të hedhur kanditaturën si kryetar bashkie në qytetin e origjinës, Përmet. Klevis Bega, i njohur si Kastro Zizo dëshiron ta përqafojë botën nga të gjitha dimensionet e saj, për ta shijuar jetën në plot kuptimin e fjalës. Tashmë pa varësi ndaj alkoolit, dhe me dashurinë që e deh dhe e frymëzon për muzikë e politikë, ai rrëfen për “Panorama Plus” kthesën që mori papritur dhe përfshirjen në zgjedhjet lokale.
Në disa këngë të fundit duket sikur të qan shpirti. Mund të themi se je një vuajtës kronik, apo një përqeshës serial i realitetit?
Unë luaj shumë me shpirtin tim…Jam një qaraman pa lot.
Një tjetër imazh të ri sapo ke prezantuar në tregun muzikor shqiptar, dhe ajo është Sue. Çfarë pe të veçantë tek ajo si këngëtare e panjohur për ta ftuar në duet?
Timbri dhe vendosmëria e saj e madhe më bën përshtypje për t’i dhënë një “dorë” në tregun tonë muzikor.
Kënga “Ajo” për abortin ishte si një thirrje për jetë të prera të mes. Për ty krim me të madh bën babai që vret një foshnjë në barkun e nënës, apo ai që mohon fëmijën e lindur?
Unë ndoshta jam pak me të vjetrën dhe shume konservator në këtë pjesë, por jam kundër abortit. Dy njerëz duhet ta mendojnë mirë para se të sjellin në jetë një krijesë, dhe mos ta trajtojnë abortin si rrugëzgjidhjen e parë apo më të thjeshtë si të hash një karamele.
Ti jeton mes muzikës dhe politikës. Po ç’kanë të përbashkët njëra dhe Tjetra, në mënyrën si i koncepton?
Të dyja funksionojnë me tinguj dhe perceptime në tru… Mendoj që një muzikant i mirë do di t’i gjejë tonalitetin një populli për ta bërë ata të kërcejë si një ritem “reggaton”, dhe të meditojë si në një baladë të mirë. Mendoj që unë di t’i bëj mirë të dyja.
Deklarove se do të kandidosh për kryetar bashkie i qytetit tënd të origjinës, Përmet. Si mund ta ndryshosh ti atë qytet ku krimi mungon dhe qetësia të vret, pra vizioni yt?
Slogani im është shumë i thjeshtë: Në katë vite do të bëni qejf çdo ditë e natë! Dua ta kthej Përmetin në një ndër epiqendrat më të mëdha ballkanike rinore me bazë turizmin që ofron ai qytet me rrethinat.
Sapo ke deklaruar se tashmë ke marrë frenat e jetës duke lënë madje alkoolin. Mund të themi se dhe këngët i ke krijuar nën efektin e tij dhe nëse po si do ia bësh tani e tutje?
Shumë pak këngë i kam krijuar nën efektin e tij. Madje më të dobëtat. Jam më i fortë se kurrë në krijmtari. Kam bërë një nga zgjedhjet më të mira në jetë!
Me të vërtetë e dashura e zemrës të pranon kështu siç je, aq sa do vetësakrifikohej siç ti e the në mënyrë simbolike, pra që është gati të presë edhe një krah për të parë ty sa më mirë?
Këtë unë nuk e di…Shpresoj që mos të presim asnjëherë ndonjë krah!
A është dashuria për ty një dehje mbi të gjitha dehjet, dhe si mund të na e vërtetosh?
Dashuria perfekte është ajo që vjen si rezultat i tre muskujve;tru, zemër dhe … Të jep dehjen më të madhe si një pijanec kur lë alkoolin./Panorama Plus