Karakteri misterioz i Linda Jaranit, aktorja imiton piktoren biseksuale Frida Kahlo
Piktorja biseksuale theu rekord këtë vit, pasi një pikturë e saj u shit 8 milionë dollarë. Piktura e meksikanes Frida Kahlo “Dos desnudos en El Bosque” (Dy nudiste në pyll) u shit në një ankand në New York me një shifër që thyen tre rekorde. Kjo është shuma më e lartë e paguar për një pikturë të saj, por edhe për një piktor amerikano-latin, dhe mbi të gjitha është shifra më e lartë për një piktore femër. Vepra, që datonte në vitin 1939- të është pasqyrë e jetës private të artistes, pasi zbulon një pjesë të natyrës së saj me prirje biseksuale. Kjo tregohet në takimin e dy femrave në një pyll, të cilat përgjohen nga një majmun, fabul që simbolizon mëkatin. Por pse dallonte stili i Kahlos, e cila ka qenë dhe në kopertinën e prestigjozes “Vogue” për stilin e saj të veçantë me lulet në kohë, veshjet e gjata që mbulonin këmbën sakate si pasojë e poliomelitit? Ajo shquhej për misterin e një gruaje të trishtuar, që përtej martesave të dështuara e shprehte hapur faktin se kishte marrëdhënie me femra, edhe pse jetoi në një kohë tjetër, pasi lindi në vitin 1907 në Meksikë dhe u nda nga jeta në 1954-ën. Duke parë fotot e saj dhe nisur nga ngjashmëria e madhe në portret, duket se Kahlo ka shëmbëlltyrën e saj në Shqipëri, pikërisht aktoren 25 vjeçare të serialit “O Sa mirë”, Linda Jarani. Artistja, që njihet si Rozafa Kroi, (studentja nga Shkodra në serial) e ka shprehur hapur se është e afeksionuar pas stilit “old fashion”, duke pozuar në setet e fotove që bën si femra e viteve ’20-’30. Por, a është Frida Kahlo, ikona e modës në Meksikë dhe në botë muza e saj sekrete? Stili që e karakterizonte në vitet ’30 Kahlon vazhdon të jetë frymëzim për modën meksikane dhe ndërkombëtare. Shtëpi mode kanë krijuar dizenjo të mrekullueshme, duke u bazuar te piktorja meksikane. Veshjet e saj plot ngjyra dhe vetullat karakteristike janë kthyer në pikë reference për kulturën dhe sofistikimin e Meksikës. Për të kuptuar më shumë rreth ngjashmërisë së Linda Jaranit me Kahlon më mirë flasin fotot.