Kapet duke kërcënuar gruan me thikë në fyt, historia e shqiptarit pushton Britaninë
Historia e një shqiptari që u largua në vitet ’90 në drejtim të Britanisë së Madhe dhe që është fotografuar tashmë duke kërcënuar bashkëshorten e me thikë në fyt, ka qenë sot ndër më të lexuarat në shtypin britanik.
Siç publikon Gazeta Shqip, Ardian Rragami është filmuar duke i nxjerrë thikën gruas së tij, ndërsa më parë ai ka qenë në gjyq me shtetin britanik pasi kishte kërkuar anulimin e vendimit për të mos u deportuar nga Anglia me argumentin se largimi i tij do e ndante nga familja.
Ai u ekstradua për herë të parë nga Britania në Shqipëri në vitin 2009 për të vuajtur një dënim 15-vjeçar për një vrasje. Por pasi kaloi vetëm 4 vite në burg u rikthye për të jetuar në Britaninë e Madhe.
Duke u prezantuar si një refugjat kosovar me emrin ‘Ardian Gashi’, ai shkoi për herë të parë në Angli pasi vrau fqinjin e tij në një lokal në Shkodër në vitin 1998. Në vitin 2000, Rragami u dënua me 15 vite burg në mungesë por nuk u ekstradua në Shqipëri deri në vitin 2009, ku vuajti vetëm një pjesë të dënimit të tij.
Ai kaloi kufirin në vitin 2016 dhe shkoi në Wickford, Essex me gruan e tij britanike Chrysoulla Michaels dhe dy vajzat e tyre, 13 dhe 15 vjeçe. Rragami u arrestua në qershor të atij viti, pasi “Daily Mail” zbuloi se ishte kthyer në Britani pas ekstradimit të tij.
47-vjeçari u lirua me kusht dhe iu vendos një byzylyk elektronik. Tani ai po ‘lufton’ për t’iu shmangur një ekstradimi të dytë në Shqipëri duke cituar të drejtën për një jetë familjare sipas nenit 8 të Ligjit për të Drejtat e Njeriut kur përballen me dëbimin.
Por Rragami është filmuar duke i vendosur thikën në fyt, gruas së tij në shtëpinë e tyre në Wickford. Ishte mbesa e tij që filmoi 47-vjeçarin duke kërcuar Michaels.
Në Gjykatën e Basildon ai u deklarua fajtor për sulmin ndaj bashkëshortes duke e goditur atë dhe duke i prerë nofullën me një thikë kuzhine, si dhe duke sulmuar një fëmijë. Por Rragamit iu dha një dënim 8-mujor, i cili u pezullua, kështu që ai u largua nga gjykata. Nëse do të ishte burgosur për të paktën 12 muaj, vrasësi do të dëbohej automatikisht. Tashmë bashkëshortja e tij Michaels, e cila punon parukiere, po i lutet qeverisë britanike për deportimin e shqiptarit.“Ardiani ka përdorur të drejtën e tij për një jetë familjare që të qëndrojë këtu. Kam ngecur e mbërthyer tek ai dhe derisa të deportohet nuk do ndalet kurrë”, tha ajo për The Sun./Top Channel