Kaosi me shtatzëninë dhe pistoletat e Fjolla Morinës/ Çfarë thanë avokatët e këngëtares

Gjykata e Kukësit ka vendosur ta nxjerrë nga qelia këngëtaren kosovare Fjolla Morina dhe ta mbyllë atë në një shtëpi në qytetin e Kukësit.

fjolla morinaKëngëtarja u arrestua fundjavën e kaluar në Pikën Kufitare Morinë dhe akuzohet për “Trafik të armëve dhe municioneve”. Në përfundim të seancës për caktim të masës së sigurisë personale, Gjykata vendosi masën e “Arrestit shtëpiak” ndaj Fjolla Morinës.

Kjo e fundit tashmë duhet të qëndrojë në qytetin e Kukësit, aty ku edhe po zhvillohen hetimet lidhur me akuzat e ngritura ndaj këngëtares. Më herët, Prokuroria kërkoi në Gjykatë caktimin e masës “Arrest në burg”, për këngëtaren, por fakti që Fjolla Morina ka në kujdes një vajzë të mitur vetëm 5 vjeçe, bëri që Gjykata të vendoste ta linte në arrest shtëpie. Por, në fillim të seancës gjyqësore, organi i akuzës u tha se kishte kërkuar “Arrest në shtëpie” për këngëtaren, ndoshta për faktin se dyshohej që e arrestuara të ishte shtatzënë.

Kjo, pasi Fjolla kishte pasur dyshime pasi kishte vonesë të ciklit si dhe shenja të ngjashme me ato të shtatzënisë. Më pas, me kryerjen e një ekoje të dytë, rezultoi se Fjolla Morina nuk ishte shtatzënë.

Avokatja Aurora Guska shpjegoi për mediat se këngëtarja bëri kontrolle dy herë pranë maternitetit të Kukësit për të saktësuar dyshimet e saj.

“Dy herë pranë maternitetit të Kukësit bëri kontrolle rutinë. Në ditën që është ndaluar, mjeku nuk jepte dot të dhënë të saktë nëse është në fillimet e para të shtatzënisë apo jo. Për ta konfirmuar këtë fakt, sot prokurorja e çështjes kërkoi një rivizitë të saj, ku u konkludua nga dy mjekë që Fjolla nuk është shtatzënë. U panë rrethana të tjera, ajo ka një vajzë të mitur, të vetme, edhe mendoj që masa e arrestit në burg është ekstreme”, është shprehur avokatja.

Ndërsa avokati Andi Dura sqaroi para mediave se çështja e shtatzënisë nuk është servirur asnjëherë si provë nga ana e mbrojtjes.

“Nuk ka qenë asnjë provë e servirur nga ne dhe as e pohuar nga ne. Kjo ka qenë e fundit që më ka shkuar në mendje. Ju siguroj që kjo ka qenë aksesor dhe jo mbrojtje”, ka thënë avokati. Sa u përket armëve që Fjolla kishte me vete, avokati sqaroi: “Këtu nuk kemi të bëjmë me trafikim. Dhe jo me armë luftarake. Jo në sasi, por as në cilësi. Është një armë që mund ta blini 50 euro kudo”. Ndërkohë, gjatë zhvillimit gjyqësor, avokatët e këngëtares mësohet se kanë dorëzuar edhe një kopje të kontratës së qirasë së shtëpisë, ku Fjolla do të qëndrojë deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë, shoferi i këngëtares dhe miku i saj i arrestuar në kufi bashkë me Fjollën, janë lënë në masë sigurimi “Arrest në burg” me afat 30-ditor

ÇFARË NDODHI SEANCËN E DJESHME

Gjyqi ishte parashikuar të zhvillohej që në orën 08:30 të mëngjesit të ditës së djeshme nga gjyqtarja Merita Karaj. Ndonëse dy të arrestuarit e tjerë, shoferi Fitim Muji dhe biznesmeni Fisnik Syla, zbritën nga makina e Policisë me duart e lidhura me pranga, për këngëtaren ishte e kundërta. Kokën e ulur, flokët e kapura gërshetë, syze dielli, me maskë antiCovid dhe sikur mos të mjaftonin këto, duart i kishte të paprangosura. Ky fakt nuk ka ndodhur më herët me të arrestuarat femra gjatë shoqërimit të tyre në Gjykatë.

Seanca që pritej të zgjaste në më pak se 30 minuta, u tejzgjat për disa orë. Por cila ishte arsyeja? Këngëtarja Fjolla Morina ka dorëzuar në Gjykatë një dokument ku tregonte se ishte dy muajshe shtatzënë.

Prokuroria nuk është mjaftuar vetëm me një eko shtatzënie dhe ka kërkuar të thirrej në seancë mjeku gjinekolog që kishte bërë këtë vizitë. Por, mjeku që ka lëshuar dokumentin ishte zhdukur duke kaluar kufirin drejt Kosovës për të shmangur arrestimin. Pas këtij fakti, Prokuroria kërkoi edhe një vizitë të dytë për këngëtaren Morina në maternitetin e Kukësit. Këngëtarja u rikthye në orën 13:30 me kokën ulur në Gjykatë. Vizita e saj ishte kryer nga dy mjekë gjinekologë, të cilët kanë dalë në përfundim se Fjolla Morina nuk është shtatzënë.