Kamela Islamaj: Ja pse s’më pëlqen të flas për njeriun e zemrës
Bashkë me mikeshën e saj Orgesa Zaimi kanë vendosur të bëjnë ndërgjegjësimin për sindromën Down nëpërmjet muzikës. “Lëviz ndryshe” ështa kënga ndryshe e Kamela Islamaj, e cila përveç cover-ave ka materialet e saj origjinale, të krijuara në këto vite karrierë. Mes muzikës jazz, blues dhe rock, këngëtarja tregon se cila është arsyeja që nuk është prezente në netët live të club-eve të Tiranës. Në tapetin e kuq të finales së çmimeve të vitit në muzikë “Top Music Awards”, Kamela ishte çift me mjeshtrin e grafikës, Vincenzo Giannattasio. Këngëtarja rrëfen për herë të parë pse nuk flet publikisht për njeriun e zemrës.
“Lëviz me mua” është klipi yt i ri me Orgesa Zaimin. Çfarë ju bëri bashkë në këtë projekt muzikor pavarësisht miqësisë?
“Lëviz me mua” është një projekt muzikor, që unë dhe Orgesa Zaimi e kemi prezantuar pesë vjet më parë në “Top Fest 7”. Nuk u kualifikuam as në finale, por ne patëm dhuratë një këngë që nuk pushuam së kënduari sa herë ishim bashkë. Para katër vjetësh në krijimin e DSA, ne e kënduam dhe njerëzit përreth nesh filluan të kërcenin, kështu që po krijohej një atmosferë shumë e mirë.
Pse vendosët t’u këndoni personave me sindromën Down. Çfarë ju afroi tek kjo kauzë?
Vendosëm që t’ua bënim dhuratë këngën, dhe ja ku vjen e finalizuar me një klip. Sigurisht, ky projekt filloi si diçka për qejf, ku unë dhe Orgesa si shoqe të ngushta nuk e menduam shumë gjatë, kur Indriti Mesiti na thirri.
Çfarë marrëdhënie ke me fëmijët në përgjithësi, të tërheqin dhe kur e projekton veten nënë?
Unë kam një marrëdhënie super të mirë me fëmijët. Bëhem shoqja e tyre e ngushtë që në minutat e para. Por veten time si nënë nuk e shoh akoma, se kam përshtypjen që nuk jam ende gati. Sigurisht, kështu thotë çdo njeri, dhe sigurisht që nuk do të jem kurrë gati. (qesh)
Karriera jote ka qenë e fokusuar tek netët live. Pse je shkëputur nga ky ritual i karrierës tënde?
Në fakt kariera ime ishte e fokusuar në netët live. U bë disa kohë që unë nuk jam më prezente në netët live të kryeqytetit, të paktën jo çdo fundjavë si më parë. Tani po bëj vetëm mini koncerte me materialet e mia origjinale, dhe disa cover-a, por të përshtatura nga unë.
Të jesh një vajzë apo artiste nate çfarë kosto ka?
Ka kosto të jesh artist nate, sepse duhet të shpenzosh shumë në veshje, në mirëmbajtjen e lëkurës (pagjumësia nuk këshillohet), shpenzohet shumë dhe në kafe. (qesh)
E ke gjetur dashurinë që të plotëson, ç’ mund të na thuash për këtë pjesë esenciale të jetës?
Mua nuk më pëlqen shumë të flas për jetën time personale, për shkak se njerëzit janë marrë mjaftueshëm me mua, dhe ndaj dua të lë jashtë kësaj njerëzit e mi të zemrës. Nuk fshihem, por nuk më pëlqen të flas, e rëndësishme është që unë jam e lumtur.