Kamela Islamaj fejohet pas 4 vitesh lidhje me të dashurin italian: Ja si sillen familjarët e tij me mua

Duket se 2018-ta ka nisur me fejesa të njëpasnjëshme në botën e showbiz-it shqiptar. Një prej tyre është këngëtarja Kamela Islamaj, e cila ka zyrtarizuar lidhjen e dashurisë me mjeshtrin e grafikës, italianin Vincenzo Giannattasio. Pas dy vitesh bashkëjetesë në Tiranë, artistja ka marrë unazën e fejesës nga djali shtatlartë, momente që shihen në fotot që ka postuar në Instagram, mikesha e saj e ngushtë Orgesa Zaimi. Po si e bëri për vetë djali shtalartë këngëtaren, dhe marrëdhënia e saj me familjen e tij, Kamela i rrëfeu vitin që lam pas në një intervistë për revistën “Story”.

Të mbështet partneri në pasionet apo hobet e tua, siç është palestra për shembull?
Po, më mbështet në gjithçka se s’ka nga ia mban. E ngaqë jam njeri i mirë… (qesh)

Çfarë ju lidh kaq fort si çift me djalin italian?
Na lidh gjithçka dhe jemi shumë të përbashkët. Jemi krahu i djathtë i njëri-tjetrit. E sheqerosa shumë, por kjo është e vërteta.

E veçanta e tij si djalë?
Është shumë artist dhe i gjatë.(qesh)

Ju bashkëjetoni apo ende jeni në një lidhje, ku secili zgjohet në shtëpinë e tij?
Ne jetojmë bashkë prej dy vitesh. Kemi pak më shumë kohë që jemi bashkë, domethënë katër vjet.

E mendoni që tashmë njiheni aq mirë sa të hidhnin hapin e martesës?
E mendojmë herë pas here këtë punën e martesës, po s’di kush mund të këndojë në dasmë. Po e kemi marrë me qetësi…

Që do të thotë?
Jemi të dy pro bashkëjetesës, kështu që e kemi zgjidhur.(qesh)

Është ai partneri romantik?
Është, po pa e tepruar se unë nuk jam fare. Kështu që e kemi balancuar dozën e romanticitetit.

E vështirë të bashkëjetosh me një djalë italian?
Aspak, përkundrazi është e thjeshtë shumë. Është një ndihmë shumë e madhe në shtëpi e në jetë. Pjesën e gatimit për shembull, në shtëpinë tonë e mbulon Truman. Madje po më mëson edhe mua të gatuaj.

Çfarë pjate apo specialiteti të ka mësuar deri tani?
Hmmmm, kryesisht salcat e ndryshme të makaronave… po edhe shumë pjata super të shijshme.

Je takuar me familjen e tij, ai me familjen tënde?
Patjetër që po, të dyja familjet edhe unë me të tijën dhe ai me timen. Janë shumë të mirë, shumë të respektueshëm, dhe gatuajnë pa fund (qesh).

U pëlqen atyre fakti që e kanë nusen këngëtare?
Janë fansat e mi, sigurisht jo prezent fizikisht, por dëgjojnë edhe shikojnë çdo gjë të mundshme.

Si artiste që je beson tek dashuria në kuptimin e një burri për gjithë jetën?
Deri në këtë moment që flasim, me plot gojën të them, absolutisht po!Për më vonë s’mbaj përgjegjësi. (qesh)

Kënga e dashurisë suaj?
Nuk kemi një të përcaktuar. Kemi grimca të shumë këngëve që lidhen me momente dhe vende të ndryshme, po një nga fillimi në fund nuk kemi.