Kamela Islamaj: Bashkëjetoj prej dy vitesh me të dashurin italian, gjithçka që më lidh…

Mes muzikës jazz, blues dhe rock, jeta e Kamela Islamajt tashmë nuk është më si dikur kur gdhinte netët live në club-et e Tiranës. Këto katër vite mund të konsiderohen ato të ndryshimeve të vërteta në jetën e artistës, si në rregjim e fizik ashtu dhe në çështjet e zemrës. Ndërkohë që po pushon me partnerin në plazhet e Jugut, artistja rrëfen për revistën “Story” bashkëjetesën dhe argëtimet me mjeshtrin e grafikës, italianin, me të cilën po jeton një histori shumë të bukur dashurie.

Ke tërhequr vëmendjen në plazh me linjat e palestruara. Si ke arritur të ndërtosh kaq shumë muskuj?
Jam lodhur të them të drejtën. Palestër pa pushim, dhe së fundmi kam vendosur tela te dhëmbët, pasi u bë problem kockor me rritjen e s’kisha nga t’ia mbaja. Kam 1 muaj që po vdes nga dhimbja dhe uria.
Po i dashuri të mbështet në pasionet apo hobet e tua?
Po, më mbështet në gjithçka se s’ka nga ia mban. Po ngaqë jam njeri i mirë… (qesh)
Çfarë ju lidh kaq fort si çift me partnerin italian?
Na lidh gjithçka dhe jemi shumë të përbashkët. Jemi krahu i djathtë i njëri-tjetrit. E sheqerosa shumë, por kjo është e vërtetë.
E veçanta e tij si djalë?
Është shumë artist dhe i gjatë.(qesh)
Ju bashkëjetoni apo ende jeni në një lidhje, ku secili zgjohet në shtëpinë e tij?
Ne jetojmë bashkë prej gati dy vitesh. Kemi pak më shumë kohë që jemi bashkë, domethënë katër vjet.
E mendoni që tashmë njiheni aq mirë sa të hidhnin hapin e martesës?
E mendojmë herë pas here këtë punën e martesës, po s’di kush mund të këndojë në dasmë. Po e kemi marrë me qetësi…
Që do të thotë?
Jemi të dy pro bashkëjetesës, kështu që e kemi zgjidhur. (qesh)
Është ai partneri romantik?
Është, po pa e tepruar se unë nuk jam fare. Kështu që e kemi balancuar dozën e romanticitetit.
E vështirë të bashkëjetosh me një djalë italian?
Aspak, përkundrazi është e thjeshtë shumë. Është një ndihmë shumë e madhe në shtëpi e në jetë. Pjesën e gatimit për shembull, në shtëpinë tonë e mbulon Truman. Madje po më mëson edhe mua të gatuaj.
Çfarë pjate apo specialiteti të ka mësuar deri tani?
Hmmmm, kryesisht salcat e ndryshme të makaronave… po edhe shumë pjata super të shijshme.
Je takuar me familjen e tij, ai me familjen tënde?
Patjetër që po, të dyja familjet edhe unë me të tijën dhe ai me timen. Janë shumë të mirë, shumë të respektueshëm, dhe gatuajnë pa fund (qesh).
U pëlqen atyre fakti që e kanë nusen këngëtare?
Janë fansat e mi, sigurisht jo prezent fizikisht, por dëgjojnë edhe shikojnë çdo gjë të mundshme.
Si artiste që je beson tek dashuria në kuptimin e një burri për gjithë jetën?
Deri në këtë moment që flasim, me plot gojën të them, absolutisht po!Për më vonë s’mbaj përgjegjësi. (qesh)
Kënga e dashurisë suaj?
Nuk kemi një të përcaktuar. Kemi grimca të shumë këngëve që lidhen me momente dhe vende të ndryshme, po një nga fillimi në fund nuk kemi.
Si po i kaloni pushimet, dhe ndodh që konsumoni alkool?
Pak alkool duhet, po pa e tepruar. Unë jam fanse e verës së bardhë dhe vodkës. Respektivisht pasditeve verë, darka me vodka. Po gjithmonë me një ritëm të moderuar se tashmë kam një farë moshe. (qesh)