“Kam operuar fytyrën tri herë”, Neuer rrëfehet mbi sëmundjen e keqe që pati pak vite më parë

Raportohet se Manuel Neuer u detyrua t’i nënshtrohej operacionit në tre raste për të trajtuar kancerin e lëkurës. Portieri i njohur gjerman, i cili ka fituar pothuajse çdo trofe kuptimplotë në futboll, e ka zbuluar lajmin për gazetën “Bild”.

36-vjeçari u diagnostikua me kancer të lëkurës në fytyrë dhe tani po punon së bashku me tenisten Angelique Kerber për të promovuar kremin kundër diellit.

“Ne të dy kemi një histori shumë personale të sëmundjeve të lëkurës. Në rastin e Angelique është hiperpigmentim i lidhur me diellin, në rastin tim është kanceri i lëkurës në fytyrë. Pra, fytyrën më është dashur ta operoj tri herë deri tani”, – tha Neuer në një deklaratë për shtyp.

“Kjo është arsyeja pse ne nuk bëjmë kompromise kur bëhet fjalë për mbrojtjen nga dielli. Stërvitem jashtë gjatë gjithë kohës dhe gjithashtu më pëlqen ta kaloj kohën time të lirë në natyrë”.

Neuer ka fituar tituj të shumtë me Bayern Munich, gjithashtu ka fituar Kupën e Botës 2014 me kombëtaren e tij. Ai po synon edhe më shumë lavdi me kombëtaren në Botërorin që nis këtë muaj në Katar, edhe pse Gjermania është larg favoritëve. Neuer është i dëmtuar për momentin, por pritet të jetë gati në Botëror.

(BalkanWeb)