“Kam 30 vjet që e duroj dhe e vrava”! Pas dëshmisë së burrit që vrau gruan në Durrës, flasin dëshmitarët

Burri që vrau gruan me levë sot në qytetin e Durrësit, nuk ka bërë rezistencë por ka marrë vetë në telefon policinë duke pranuar krimin dhe duke u dorëzuar.

63-vjeçari pas krimit të rëndë ka ulur qepenin e dyqanit të tij të metrazheve dhe ka pritur policinë. Çifti i cili ka tre vajza, ishte i qetë dhe pa probleme, sipas fqinjëve punonte prej vitesh në biznesin pranë Pallatit të Sportit.

Dyshimet paraprake për krimin lidhen me mosmarrëveshjet në familje që kanë lindur pikërisht për dyqanin e metrazheve, pasi kishin kundërshti për shitjen e tij, që agravoi situatën deri në vrasjen e 59-vjeçares, raporton Report tv.

Ruzhdi Tosuni e ka njoftuar vetë policinë duke u thënë “ejani se kam vrarë gruan”. Pyetjes së policisë së “ku ndodhej”, autori i është përgjigjur duke thënë “para dyqanit po ju pres”.

Teksa e shoqëronin në polici dhe e pyetën se përse e vrave gruan, autori është shprehur se “ma solli shpirtin aty ku nuk mban më. Kam 30 vjet që e duroj dhe e vrava”.

Të gjithë personat që e njihnin çiftin thonë se ishin shumë të qetë dhe veçanërisht autori i krimit. Në një prononcim për “iconstyle.al”, një vajzë që ishte shpesh herë klientja e dyqanit të metrazheve thotë se i shihte çdo ditë bashkë dhe dukeshin tepër të qetë në punën e tyre:

“Burri i zonjës ishte njeri shumë i qetë. Të paktën unë që i njihja prej 10 vjetësh, kanë qenë një familje e qetë. Por ajo që ndodhi aty na lemerisi të gjithëve. Si çift ka qenë i respektuar dhe të mirëprisnin në biznesin e tyre. Çdo ditë i shikoja bashkë”.