Kaloi 2 vite në një burg të Iranit/ Akademikja australiane: Më e rëndë se torturat, ishte tradhtia e bashkëshortit
Akademikja Kylie Moore Gilbert, britanike nga Australia, në intervistën e saj të parë që kur doli nga një burg në Iran gjatë vitit të kaluar, ka thënë se ka “duruar torturë psikike” dhe se Teherani ka tentuar ta rekrutojë si spiune, shkruan Sky News.
Gilbert, ligjëruese e shkencave islame në Universitetin e Melbourne, ishte për dy vite në burg nga shtatori i vitit 2018, pasi ishte arrestuar në aeroportin e Teheranit dhe akuzohej për spiunazh, në kohën kur ishin rritur tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Ishte shpallur fajtore dhe u dënua më 2019 me 10 vite burgim, por autoritetet e liruan në nëntor si tentativë për shkëmbim me tre të burgosur iranianë.
Në intervistën e parë nga lirimi i saj, për Sky News ka thënë se në qelinë e parë ku e kishin mbajtur ka qenë “dy metra me dy”, pa tualet.
“Mund të them se ka qenë një qeli për izolim ekstrem, e destinuar për t’ju thyer. Është një torturë psikologjike… Ka pasur momente në periudhën e hershme kur jam ndjerë e thyer, ndihesha se nëse duhet të duroj edhe një ditë të tillë – do të kryej vetëvrasje”, ka thënë Gilbert duke shtuar se gardianët e burgut në një rast e kanë rrahur duke i dhënë kundër vullnetit edhe qetësues.
Ajo ka theksuar se akuzat për spiunazh kanë qenë “çmenduri”. Megjithatë, më rëndë sesa qëndrimi në izolim total në qeli, i është dukur kur është kthyer në Australi dhe e kishte kuptuar që bashkëshorti i saj Ruslan Hodorov kishte një lidhje me kolegen dhe mentoren e tij Kylie Backster.
Thotë se ishte e vetëdijshme që kishin probleme në martesë një vit para se të kthehej në shtëpi, por nuk priste që t’i jepte fund martesës.