“Kaktus” apo “Flokë bore”, cili është personaliteti juaj në punë?

Në librin e saj “The Cactus and Snowflake at Work”, trajnerja dhe këshilluesja Devora Zack, shpjegon se cilat janë ndryshimet midis atyre që në punë drejtohen nga emocionet dhe atyre që drejtohen nga racionaliteti. Autorja i quan të parët “flokë bore”, ndërsa të dytët, “kaktus”.

Personat “tipi kaktus” priren të jenë logjikë, analitikë të rezervuar dhe mjaft të drejtpërdrejtë në qasjen e tyre, ndërsa “flokët e dëborës” janë më të ndjeshëm, të aftë për ndërmjetësime dhe diplomaci.

Kjo është një temë e trajtuar në vitet 1920 nga Karl Gustav Jung, i cili fliste për personalitete ekstroverte dhe introverte (me një seri nënkategorish të mëtejshme).

Përse është e rëndësishme të kuptoni nëse jeni një “kaktus” apo një “flokë bore” në vendin e punës?

Këtë na e shpjegon një ekspert.

“Kaktus” dhe “flokë bore” në punë, përse është e dobishme të njihni identitetin tuaj

“Libri i Devora Zack, i famshëm në mesin e punonjësve, trajton një temë klasike të psikologjisë së punës, atë të tipeve psikologjike apo tipareve të personalitetit – shpjegon Davide Cortesi, këshilltar dhe specialist në empowerment.

Bëhet fjalë për një argument mjaft interesant dhe me zbatim të dobishëm, pasi u jep mundësi njerëzve të njohin më mirë veten (vetëndërgjegjësimi) por edhe të njohin më mirë tjetrin, për shembull drejtuesin, kolegun, bashkëpunëtorin me të cilët punojnë çdo ditë.

Në këtë mënyrë është e mundur të përsosni pikat e forta, duke kuptuar se cilat janë fushat e përmirësimit dhe sjelljet kufizuese, që në mënyrë automatike, bëni në situata të caktuara.

Është e rëndësishme të kujtoni se çdo njeri është unik dhe i papërsëritshëm. Tipizimet përfaqësojnë instrumente të rëndësishme për t’u njohur, për t’u kuptuar dhe për t’u përmirësuar, por nuk duhet të burgosin njerëzit në kuti të parapaketuara, të destinuara për t’u bërë stereotipe”.

Eksperti shpjegon se cilat janë karakteristikat që dallojnë ata që në punë udhëhiqen nga emocionet (flokët e borës) dhe nga logjika (kaktusi). Dhe sekretet për të punuar mirë, të vetëdijshëm për nevojat, pikat e forta dhe defektet.

Karakteristikat e “flokëve të borës”

Flokët e borës janë subjekte, vëmendja e të cilave natyrshëm orientohet drejt marrëdhënies dhe qëllimit (të thellë) të gjërave. Ata priren të ndiejnë dhe të përjetojnë emocionet dhe të udhëhiqen prej tyre.

Natyrisht janë të ndjeshëm, dinë të jenë në harmoni me tjetrin, ta kuptojnë dhe të vihen në vendin e tyre. Janë të kujdesshëm në marrëdhënie dhe ndaj tjetrit, si bartës i diversitetit, pra vlerës. Ata e duan ndarjen dhe shkëmbimin. Kanë aftësi të mira negocimi.

Karakteristikat e “kaktusit”

Njerëzit “kaktus” priren drejt njohurive dhe informacioneve. Ata priren drejt analizës, vlerësojnë çdo situatë, të vogël e të madhe, si të kishin një mikroskop. Çdo gjë ka një arsye, ata priren të arsyetojnë mbi çdo ndërlikim të mundshëm. Ata e kanë të vështirë t’i menaxhojnë emocionet, veçanërisht ato intensive, sepse në thelb i konsiderojnë ato mashtruese dhe të palogjikshme.

Mund të duken të përmbajtur dhe të ftohtë, por shpesh kjo është një mënyrë për të mbrojtur veten dhe privatësinë, pasi nuk i pëlqejnë ndërhyrjet. Ata janë të drejtpërdrejtë në shprehjen e këndvështrimit të tyre.

“Flokët e borës”, nevojat dhe kërkesat

Ata kanë nevojë për marrëdhënie të vërteta e të thella. Personat me këtë tipar u kërkojnë drejtuesve, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve mundësinë për një kontakt njerëzor. Ata pëlqejnë të bashkëpunojnë dhe të bëjnë punë në grup për të arritur rezultate.

Flokët e borës kanë nevojë për njerëz që nuk abuzojnë me gatishmërinë e tyre dhe nuk i bëjnë të ndihen të dobët për shkak të ndjeshmërisë së “ekspozuar”.

“Kaktusi”, nevojat dhe kërkesat

Personat me këto karakteristika nuk duan askënd të pushtojë territorin e tyre, përveç rastit nëse u është dhënë leja në mënyrë eksplicite. Atyre nuk u pëlqejnë t’u bëjnë pyetje personale.

“Kaktusët” pëlqejnë të punojnë me njerëz kompetentë dhe të besueshëm, jo shumë ngulmues në marrëdhënie dhe të aftë të respektojnë heshtjen e shenjtë, e nevojshme për të arsyetuar. Ata nuk i duan njerëzit që i humbin kohë, u kërkojnë kolegëve dhe drejtuesve të hyjnë te thelbi i çështjes menjëherë.

Këshilla të dobishme për “flokët e borës”

Për të shmangur të qenët shumë të çekuilibruar në modalitetin e tyre, këta persona mund të përpiqen të qëndrojnë vetëm, duke marrë kohë jashtë dimensionit të grupit. Ata duhet të ushtrohen të thotë disa jo dhe të pyesin veten me një ushtrim analize se çfarë presin nga tjetri, duke mësuar ta ndryshojnë këtë pritshmëri në një kërkesë të qartë.

Këshilla të dobishme për “kaktusin”

Merrni pak kohë për të njohur në një nivel më të thellë kolegët dhe bashkëpunëtorët (një nga një). Detyroni veten të socializoheni dhe të hapeni (pak më shumë). Herë pas here dilni nga vetmia juaj sekrete dhe pyesni një koleg nëse ka nevojë për ndonjë gjë.

Zvogëloni komunikimin (indirekt) nëpërmjet e-mail dhe trajtoni ballë për ballë çështje të nxehta dhe emocionale: do t’ju ndihmojë të rriteni dhe t’ju mësojë të menaxhoni emocionet tuaja dhe të të tjerëve.

/ Vanity Fair Italia