“Ka një kosh plehrash në vend të zemrës”/ Kush është gjyqtari që do të vendosë drejtësi në sfidën Benfika-Inter
“Arbitri ka një kosh plehrash në vend të zemrës”. Kështu shprehej në prill të vitit 2018 Xhanluixhi Bufon, ish-kapiteni i Juventusit, që u tërbua me arbitrin Majkëll Oliver pasi ky akordoi 11-metërsh për Realin e Madridit në minutën e 93-të të ndeshjes.
Penalltia u shndërrua në gol nga Kristiano Ronaldo dhe Juventus u eliminua nga Champions League, duke shkaktuar irritimin e portierit italian, i cili u ndëshkua me karton të kuq për protesta, ndërkohë që në konferencën për shtyp shfryu më tej dufin me deklarata të forta ndaj anglezit.
Tashmë, ky arbitër është përzgjedhur nga UEFA për të gjykuar duelin e parë çerekfinal në Champions mes Benfikës dhe Interit. 38-vjeçari anglez ka marrë stemën e FIFA-s që nga viti 2012, teksa mbetet të parë cili do të jetë impakti i tij në ndeshjen e së martës.