Juventus do të dënohet nga Uefa për Fair Play Financiar: The Times zbulojnë se bardhezinjtë janë në listën e zezë

Shpata e Fair Play Financiar rikthehet të qendrojë mbi Juventusin. Ashtu si edhe për 20 klube të tjera, të cilat sipas raportimeve të përditshmes prestigjioze britanike The Times, kanë përfunduar nën lupën e UEFA-s, që tani kërcënon me sanksione të rënda. Klubi i Juventusit, ende i përfshirë në projektin e Super League së bashku me Real Madrid dhe Barcelonën, do t’i bashkohej kështu dy italianeve të tjerë në listë, Interit dhe Romës, dinamika e të cilëve tashmë dihej.

Sipas asaj që lexohet, nga 20 klubet europiane që kanë përfunduar në shënjestër të UEFA-s, ku janë përfshirë edhe Arsenal, Barcelona, PSG dhe Marseille, të paktën 10 do të marrin dënime që duhet t’i komunikohen muajin e ardhshëm. Sipas The Times, për PSG-në dhe Marseille do të vijnë vetëm gjoba, ndërsa për Interin dhe Romën, përveç gjobës, do të kishte edhe kufizime që lidhen me merkaton e transferimeve (dhe rrjedhimisht me organikat për kupat e Europës), por në kuadër të marrëveshjeve tashmë të dakordësuara me klubet.
Cështje e ndryshme për Juventusin, i angazhuar së bashku me Barcelonën dhe Real Madridin në një veprim ligjor kundër organizatës evropiane të futbollit në lidhje me projektin e diskutueshëm Super League: bardhezinjtë dhe blaugranat deri më tani kanë refuzuar të fillojnë negociatat për marrëveshjen e fajësisë me Uefa-n.

FAIR PLAY I RI FINANCIAR

Ky do të jetë sezoni i fundit që ndjek rregullat aktuale të Fair Play Financiar. Në fakt, nga viti 2023, UEFA do të prezantojë një sistem të ri për sa i përket licencimit të klubeve dhe qëndrueshmërisë financiare që do të zbatohet gradualisht gjatë tre viteve për t’u dhënë klubeve kohën që u nevojitet për t’u përshtatur. Risia kryesore qëndron në filozofinë: nuk bëhet fjalë më për të kërkuar bilancin e llogarive, por për kufizimin e shpenzimeve të akorduara për pagat, tarifat e transfertave dhe komisionet për menaxherët, të cilat prej kohësh janë identifikuar si problemi kryesor ekonomik në futboll. Konkretisht, UEFA do të dyfishojë deficitin e autorizuar në tre vjet (duke e çuar atë në 60 milionë euro), por do të detyrojë klubet të kufizojnë kufirin e pagave të tyre në 90% të të ardhurave në 2023-2024, në 80% në 2024/25 dhe në fund në 70% nga viti 2025-2026, deri në skadimin e kontratave aktuale.