Ju shpjegojmë deklaratën virale të Diola Dostit: ‘Ngela shtatzënë pasi konsumova vaj kanabisi’
Nutricionistja Diola Dosti habiti jo pak shikuesit me deklaratën e saj, kur u shpreh në “S’e luan topi” se ngeli shtatzënë pasi provoi vajin e kanabisit.
“Unë e kam provuar kanabisin, brenda vendeve ku lejohet të provohet, por nuk kam tymosur asnjëherë në jetën time. Ka qenë formë vajore, vaj medicinal. Kisha lexuar që të rrit kreativitetin,” tha ajo.
“Ngela dhe shtatzënë kur e provova. Pra, pati efekt në këtë anë. Nuk e kisha lexuar që kishte efekt afrodiziak (një ushqim, pije ose diçka tjetër që stimulon dëshirën seksuale) se nuk do e provoja. Tek unë e dha këtë efekt. Flasim gjithmonë për atë medicinalin,” shtoi më pas.
Kanabisi mjekësor (medicinal) i referohet përdorimit të kanabisit ose përbërësve të tij për qëllime terapeutike, zakonisht për të trajtuar gjendje të caktuara specifike mjekësore ose për të lehtësuar simptomat. Deri më sot, nuk ka prova të sigurta mjekësore për ndonjë lidhje të mundshme të kanabisit dhe fertilitetit. Sidoqoftë, ka disa faktorë që duhen marrë në konsideratë.
Produktet mjekësore të kanabisit mund të përmbajnë nivele të ndryshme të THC (tetrahidrokanabinol) dhe CBD (kanabidiol). THC është përbërësi psikoaktiv përgjegjës për atë ndjesinë high që shkakton kanabisi, ndërsa CBD është jopsikoaktive dhe besohet të ketë përfitime të mundshme terapeutike. Ndikimi në fertilitet mund të ndryshojë në varësi të raportit të THC ndaj CBD në produkt.
Disa studime sugjerojnë se përdorimi i kanabisit, edhe për qëllime mjekësore, mund të ndikojë në ovulimin dhe rregullsinë e menstruacioneve tek gratë. Ndryshimet në ciklin menstrual mund të ndikojnë në aftësinë për të mbetur shtatzënë.
Për burrat, përdorimi i kanabisit medicinal mund të ndikojë për keq te sperma dhe faktorët e fertilitetit.
Nëse kanabisi medicinal përdoret në lidhje me medikamente të tjera, ekziston mundësia e reaksioneve, që mund të ndikojnë te fertiliteti.
Për informacionin më të përditësuar mbi kanabisin dhe efektet e tij në fertilitet, konsultohuni vetëm me mjekë specialistë.