Ju prezantojmë me reperat e rinj që kanë tërhequr vëmendjen menjëherë

Ndërkohë që fansat e muzikës rap vazhdojnë të kenë artistët e tyre të preferuar ndër vite, tregut i janë shtuar shumë reperë të rinj por vetëm disa prej tyre kanë tërhequr vëmendjen menjëherë. Këtu përmendim Don Xhon, Bala, Finem dhe MatoLale. Ky i pari arriti të thyente rekorde që me nisjen e karrierës së tij në 19 Prill 2020, megjithëse ka punuar më herët për të realizuar këngët e tij.

Finem nga ana tjetër, (emri i vërtetë Klejdi Dogjani), publikoi këngën e tij të parë “Benzi” në 2019, e që atëherë duket se fati i mirë e ka ndjekur në industri pasi projektet e radhës janë pëlqyer shumë nga publiku.

MatoLale, megjithëse u bë i njohur pas lançimit të videoklipit “Adrenaline” në bashkëpunim me Noizyn, në fakt këngën e parë e ka publikuar në 2 mars të 2019-ës dhe mban titullin “Freestyle”. Miqësia e tij me Noizyn u prish, por prap reperi vazhdon të ruajë suksesin e tij, sidomos me këngën e fundit “Flak” që pavarësisht se u kritikua për pamje +18, arriti të grumbullojë 1.5 milionë klikime në Youtube brenda një kohe të shkurtër.

E në fund, por jo më pak i rëndësishëm, është reperi Chris Bala i cili është pëlqyer shumë nga publiku. Kënga e tij me videoklip “Dance” ishte pikërisht ajo që i duhej kësaj vere teksa na fiksoi menjëherë dhe na bëri të gjithëve të kërcejmë. Përveçse është tepër i talentuar ai ka rrëmbyer vëmendjen edhe me stilin e tij. Së shpejti duket se ai do të sjellë një projekt të cilin po e realizon në SHBA dhe mezi po e presim.

A do të jenë këto emra ato që do të dominojnë tregun e repit së shpejti? Kjo mbetet për t’u parë, por dimë të themi se janë në rrugë të mbarë! /News31