Ju prezantojmë me “Lean”: “Si më zgjodhi Alban Skënderaj për klipin e tij”
Lea është personazhi protagonist në klipin më të fundit të Alban Skënderaj. Kënga që mban të njëjtin emër, si çdo projekt tjetër i këngëtarit të njohur ka fshehur një mesazh të fortë që u diskutua shumë pas lançimit të klipit. Një vajzë 18-vjeçare që ndahet nga i dashuri dhe nuk kalon dot vitin e tretë. Pa mbështetjen e askujt ja del të gjejë forcën për të jetuar jetën siç dëshiron. Por kush është Lea në të vërtetë? Ajo quhet Rinesa Qeriqi dhe gjithçka duhet të dini për të e zbuloni në këtë intervistë për revista Who.
Sa vjeç jeni dhe për çfarë studioni?
Jam 17 vjeçe, në shkollën e mesme viti i tretë dhe studioj shkencat shoqërore.
Një vajze me flokë të shkurtra, imazh jo i zakontë, por pa dyshim i veçantë. Mjafton të hedhësh një sy në profilin tuaj në “Instagram” për të kuptuar se ka diçka ndryshe. A është kaq ‘e pazakontë’ edhe përditshmëria juaj? Çfarë interesash e mbushin ditën tuaj?
Ditët e mia ndonjëherë janë të zakonshme e herë të tjera jo. Shkoj në shkollë herët, kaloj kohë me shoqërinë e më pas kthehem në shtëpi. Mundohem të shkruaj për çfarëdo gjëje interesante apo thjeshtë për ditën që kaloj ose ndjenjat që kam në përgjithësi. Kjo është diçka që më bën të ndihem shumë mirë dhe t’i shoh gjërat më qartë. Herë të tjera pikturoj, lexoj ose thjesht dëgjoj muzikë për orë të tëra dhe analizoj tekste. Më pas janë ditë të tjera jo dhe aq të zakonshme si për shembull kur kam ndonjë projekt si ky i fundit, përmes të cilëve takoj njerëz të rinj, udhëtoj nëpër vende të ndryshme etj.
Ju bini në sy mbi të gjitha për stilin e veçantë dhe karakterin, nga frymëzoheni ka një person apo diçka tjetër?
Frymëzimi im vjen nga shumë gjëra faktikisht, nga muzika që dëgjoj, nga ngjarjet përreth edhe nga njerëzit me të cilët unë e rrethoj veten. Gjithashtu edhe nga artistë të ndryshëm botërorë e shqiptarë. Më pëlqen kur dikush është aq i vërtetë me veten e ndjenjat e tij dhe i shpalos ato pa frikë e pa komplekse.
Çfarë qëllimi keni, një ëndërr, dëshirë plan për të ardhmen tuaj?
Shumë plane kam për të ardhmen! Do të doja të jem aktore e suksesshme, por edhe të bëj muzikë. Pastaj të kem bashkëpunime me ndonjë markë të njohur botërore (mode) dhe të krijojë një linjë veshjesh. Më pëlqen edhe regjia shume. Mundohem të shkruaj gjëra që më vijnë në mendje për skena filmash.
Do të donim të dinim pak edhe për klipin. Si u përzgjodhët për t’u bërë imazhi kryesor?
Ishte ekipi i “ImageFilms” që më kishte sugjeruar mua dhe disa vajza të tjera tek Albani. Më pas përzgjedhja i bë nga ai dhe protagonistja u zgjodha unë.
Keni marrë pjesë më parë në klipe?
Po, kam qenë edhe në një klip tjetër gati një vit më parë. Është kënga e dyshes nga Prishtina “Oborri” dhe projekti titullohet “Gjuj me dritë”. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme, madje kemi xhiruar në depon e plehrave. Edhe dy ditë më pas më dukej sikur nuhasja ende erën e tyre.
Si ka qenë të punoni me Albanin?
S’është se na ra të ishim për shumë gjatë pasi skena që xhiruam bashkë ishte e shkurtër, por për atë pak kohë që kaluam ishte fantastike. Albani edhe Miriami më janë dukur njerëz mjaft familjarë, shpërndanin energji shumë të mirë.
A jeni një fanse e muzikës që ai bën?
Për muzikën e tij s’kam fjale. Çdo temë që prek është gjithmonë e qëlluar dhe si artist është shumë origjinal, gjë që unë personalisht e çmoj shumë.
Si u ndjeve që ishe në rolin e ‘Leas’? A ke ndopak ngjashmëri me të si karakter edhe në jetën reale?
Në rolin e ‘Leas’ u ndjeva shumë komode. Dhe po, kam ngjashmëri me të! Jam tip energjik shumicën e kohës, pozitive për atë çka sjell e tashmja dhe optimiste për të ardhmen. Nuk kam dëshirë të ndihem në çfarëdolloj forme e “prangosur” dhe gjithmonë mundohem të ndjek instinktin dhe atë çka unë personalisht ndjej për situata të ndryshme.
Si u prit klipi nga njerëzit më të afërt për ju?
Të gjithë njerëzit e mi të afërt e priten klipin si mos më mirë dhe i falënderoj shumë.
E keni marrë ‘feedback-un’ që prisnit nga ky projekt?
Faktikisht, e kam marrë dyfish më të mirë nga sa e kam pritur. Dhe jam shumë shumë e lumtur për këtë fakt. Shpresoj që kjo video të ketë impaktin e duhur dhe pozitiv mbi shoqërinë tonë sepse ende kemi shumë punë për të bërë.