Jonida Shehu: ”Familja luftarake që kam krijuar me partnerin skenograf”

Jonida-Shehu-2

Jonida Shehu sjell për herë të parë në Shqipëri formatin “podcast” me emrin e saj, që transmetohet në Youtube, një bibliotekë rrëfimesh me personazhe të njohur e të panjohur. Pasi qëndroi për pak kohë larg televizionit, ajo kthehet pranë publikut më herët se shtatori me intervistën e parë me këngëtaren shqiptare me famë në Greqi, Eleni Foureira. Për impresionet e takimit me një Diva, eksperiencat e fundit jashtë studios në skena të mëdha spektakli, si u ndie në krah të Adi Krastës, familjen që ka krijuar me skenografin e njohur dhe paratë që fiton nga profesioni i gazetarisë, Jonida i rrëfen në këtë intervistë të parë për “Panorama Plus”.

Rikthehesh me një format të ri në “Youtube”, ku nis kështu koleksionin e rrëfimeve speciale me personazhe të famshëm. Është kjo puna që ke dëshiruar?

“Jonida Podcast” është një projekt shumë i dashur. Është një dritare që çdo profesionist do ta dëshironte. Të kesh mundësinë të intervistosh kë të duash, kë të pëlqen, pa asnjë lloj censure institutionale, pa presionin e kohës televizive, pa stresin dhe presionin e audiencës, pa redaksi të mëdha që kërkojnë shpenzime. Ndërkohë me “Jonida podcast” unë bëj atë që di të bëj më mirë dhe mbërrij te publiku në një kohë të shkurtër. Është fat i madh që “Abi bank” ishte financuese e një projekti të tillë për herë të parë në Shqipëri dhe çdo gjë u bë gati shumë shpejt.

E nise këtë projekt me këngëtaren shqiptare të famshme në Greqi, Eleni Foureira. Çfarë ndjesie të la ajo si artiste?

Mendova ta nis me Elenin, sepse dija që do të vinte në Shqipëri. Kështu kontaktova një muaj para ardhjes së saj dhe ramë dakord që do të kishim një intervistë të plotë, ku ajo do të fliste për gjëra që nuk i kishte thënë më parë në lidhje me Shqipërinë, sakrificat dhe karrierën. Më ka befasuar! Prisja një Diva dhe pashë një vajzë shqiptare luftarake, të talentuar, të vetëdijshme nga vinte dhe ku shkonte. Është shumë interesante të njohësh jetët e shqiptarëve që janë nisur nga pika të përbashkëta me ne, pasi kishte jetuar ’97- n si fëmijë në Shqipëri dhe sot është Pop star nr.1 në një shtet si Greqia, që i ka pranuar shqiptarët vërtet, po dhe i ka paragjykuar. Sidomos kur flasim për art dhe muzikë, lufta është e madhe.

Si do t’i përzgjedhësh personazhet e tjerë në vazhdim dhe në këtë konkurrencë intervistash televizive në ç’aspekt do të synosh të jesh e veçantë?

Personazhet do të jenë zgjedhje e imja. Ka shumë elementë për të përzgjedhur një personazh, po logjika është e njëjtë si në televizion apo media tjetër… Të jetë interesant, publiku të ketë kuriozitet për të dhe të më pëlqejë ideja e një bisede me ta. Të jesh i veçantë s’është qëllim në vetvete. Të gjithë jemi të veçantë, askush nuk interviston njësoj me dikë tjetër.

Jonida-Shehu-4

Të ulësh një personazh përballë teje dhe ta bësh të rrëfehet lirshëm, sa e vështirë është dhe cila është taktika jote për të marrë përgjigjet e duhura?

Ka shumë teknika, po unë i rehatoj njëherë personazhet, të ndihen të sigurtë dhe jo të sulmuar. Kur e krijon këtë konfidencë, është më e lehtë të marrësh përgjigje edhe për pyetje të vështira, të cilat të kanë kërkuar të mos ua bësh.

U fol se sezonin e ri televiziv do të të shohim në një televizion të ri. Mund të zbulosh ndonjë detaj konkret?

Nuk di, është folur shumë, siç ndodh kohët e fundit. Televizioni nuk do të jetë i ri, projekti dhe sfida që kam përpara po. Është diçka që s’e kam bërë më parë, është një sipërmarrje e madhe për mua po them se do ia dal.

Këtë periudhë, larg studios televizive ke kaluar nga skena në skenë, nga festivali i RTSH-së, te “Miss Shqipëria”, që u mbajt në Kalanë e Tiranës. Ku ndihesh se e zotëron më mirë skenën, mes këngëtarëve apo miss-eve?

Skena ishte në të dyja rastet kënaqësi dhe eksperiencë e bukur. E vështirë sepse nuk kam shumë eksperiencë, por në të dy rastet kam pasur bashkëpunëtorë shumë të mirë.

Jonida-Shehu-3

Me Adi Krastën në krah në netët e “Festivalit të Këngës”, ishte e thjeshtë apo i vështirë bashkëprezantimi?

Me Krastën, logjikisht, duhet të jetë e vështirë. Mua ma thjeshtoi dhe për këtë e falënderoj. Të bashkëprezantosh është diçka që s’varet shumë si është njëri apo si është tjetri, por si janë të dy me njëri-tjetrin.

Në këto kohë, televizioni është dominuar nga prezantues të rinj e të maturuar. Të bën kjo të ndihesh ndoshta e kërcënuar?

Nuk kam kështu frikërash. S’kam kërkuar asnjëherë diçka që s’më takon e që s’është e imja. Dhe nëse s’ka më hapësirë për mua, kjo do të kuptohet shumë lehtë. Jemi larg nga ajo ditë.

Në kaq vite eksperiencë në televizion, ke fituar para nga kjo punë?

Para jo. Por kam fituar shumëçka tjetër, edhe mundësinë për t’i bërë paratë. Po unë s’jam tip parash, ndaj s’kam fituar shumë para. Të fitosh para, kërkon një talent më vete, nuk mundesh vetëm duke ditur mënyrën, duhet t’i duash shumë.

Ndërkohë, je nënë e një vajze, Kristal, nga lidhja e dashurisë me skenografin e njohur, Albi Çifligu. Si do e përshkruaje familjen tënde të re?

Familja ime është e bukur, dinamike dhe luftarake. Të gjithë mundohemi të jemi të lumtur dhe të rrisim një fëmijë të lumtur.

Duke qenë se partneri yt është pjesë e botës së televizionit në paskuinta, mund të themi se ai është krahu yt i djathtë?

Sigurisht që në këtë përpjekje e ndihmojmë shumë njëri-tjetrin.

Jonida-Shehu-1