Jonida Maliqi zbulon detajet e këngës së re dhe planet për një koncert recital!
Jonida Maliqi është një nga këngëtaret më me stil në tregun shqiptar. Kjo jo vetëm në projektet e saj muzikore, por edhe në shijet e saj në modë. Kënga e saj e fundit titullohet “Hije” që është prej 6 javësh pjesë e klasifikimit të “The Top List” në Top Awards. E ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up”, Jonida na ka folur më shumë lidhur me këtë projekt, por dhe me surprizat që ka rezervuar për të gjithë publikun së shpejti…
Si erdhi “Hije”?
Më në fund pas 30 vitesh unë nisa bashkëpunimin me një kompani menaxhimi si “Boss Management” dhe çdo gjë është më e lehtë. Ndonjëherë në tregun shqiptar artistit i duhet të bëjë gjithçka vetë. Në momentin që ti pastaj i ke të përcaktuara të gjitha detajet, realizimi është akoma më i mirë. Nisi si një takim i thjeshtë në studio me Çelik Lipën dhe gjithçka u krijua për 4 orë. Ka të bëjë shumë kimia artistike, kjo ka rëndësi.
Pra do të kemi projekte të reja së shpejti?
Po. Kam këngën tjetër gati, sapo ka dalë nga furra. Jo më kot e përmenda se po menaxhohem, sepse kam bashkëpunime edhe me studio jashtë kufijve shqiptarë. Eduard Skera është një artist që po bashkëpunon me emra të mëdhenj të muzikës si Emily Sande apo Ed Sheeran. Kemi realizuar një bashkëpunim që e kam dashuruar që me dëgjimin e parë. Sardi Strugaj ka realizuar tekstin. Kënga flet për një dashuri në trekëndësh…
Do të doje të vije me një koncert tëndin recital?
Patjetër, e kam menduar! Sigurisht e kam studiuar nëse do ta realizoj. Dhe e kam në planet e mia të së ardhmes. Dua të realizoj diçka që të jetë artistikisht e kuruar. Unë e di dhe programin tim, çfarë materialesh muzikore dhe çfarë ‘target grupi’ përfaqësoj dhe do të doja që të gjithën ta realizoja në një formë shumë artistike dhe të mbetej një kujtim shumë i bukur.
Nëse edhe juve ju pëlqen “Hije”, ju mund ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.
Top Albania Radio