“Jo mo burrë, ç’a xhelozie 60 e ca vjeç”, dhëndri i familjes Tosuni tregon shkakun e krimit në Durrës: Dje piva kafe me Ruzhdiun…
Durrësi u trondit paraditen e sotme nga vrasja e një gruaje, brenda në një dyqan metrazhesh nga ana e bashkëshortit të saj.
Në media u tha fillimisht se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkaqe xhelozie, po sipas dhëndrit të familjes, Kastriot Berisha, gjithçka ka ndodhur pas një tensioni të momentit.
Ai ka treguar për mediat se familja ka qenë shumë e rregullt dhe nuk kanë pasur konflikte të mëparshme mes tyre.
“Shkak ka qenë një konflikt i çastit. Thjesht debat prej tensionit të momentit. Kanë qenë shumë normal me njeri-tjetrin. Madje dje piva kafe me Ruzhdiun.
Jo mo burrë, ça xhelozie, çfarë xhelozie 60 e ca vjeçe. Kanë qenë një familje e rregullt, nuk kanë pasur asnjë problem as për çështje pronësie, është pa lidhje fare”, tha Kastriot Berisha.
Ruzhdi dhe Hajdie Tosuni kishin tre vajza nga martesa e tyre e gjatë, dy prej të cilave jetonin në qytetin e Durrësit, dhe një tjetër në Itali.
Mësohet se çifti është konfliktuar fillimisht dhe gjatë debatit bashkëshorti Ruzhdi Tosuni 63 vjeç, ka goditur fillimisht Hajdien me një levë hekuri, ndërsa më pas e ka qëlluar edhe me gërsherë.
Pas krimit, ai ka mbyllur qepenin e dyqanit ku punonin bashkë dhe ka shkuar për të blerë cigare. Më pas ka hyrë në farmacinë pranë biznesit të tyre duke i thënë të pranishmëve që kishte vrarë gruan.
Ruzhdi Tosuni është ulur në hyrje të biznesit duke pirë cigare, ndërkohë që policia vinte në vendin e ngjarjes.
Ai është shprehur se kishte 30 vite që e duronte gruan e tij, dhe se kjo situatë nuk mund të vazhdonte më.