Jo më vjersha përmendësh, studimi europian: Deri në 6 vjeç frenon të menduarit
Jo vjersha përmendësh deri në 6 vjeç. Frenon fjalën dhe të menduarit. Europa e ka ndaluar që në vitet ‘50-‘60.
Një nga gjërat që bën krenar prindërit është që fëmija i tyre në kopsht mëson dhe reciton shumë vjersha përmendësh. Ekspertët e edukimit pozicioniohen kundër kësaj metode.
“0-6 vjeç, fëmija nuk duhet të mësojë vjersha. Përdoret kënga, dialogu dhe dalëngadalë nga modelet që marrin qoftë nga prindërit, qoftë nga edukatoret, do të ndërtojnë fjalën dhe mendimin e tyre. Fjala është shumë e rëndësishme, sepse ne nuk mendojmë dot jashtë fjalëve tona. Por që të zhvillohet fjala, në periudhën e kopshtit, në asnjë mënyrë vjersha, pasi vjersha vret pikërisht atë gjë që bën vetëm dialogu. Ne kur dëgjojmë tjetrin duke folur, apo tjetri na dëgjon teksa flasim, njëkohësisht mendojmë çfarë do të pyesim, çfarë u tha ndonjë gjë e re, a të vlen ajo, dhe çfarë emocionesh të zhvillohen”, tha Lira Gjika, Eksperte për Mirërritjen.
Dialogu të ndihmon të përballosh tjetrin, vjersha jo, ajo nuk e bën një gjë të tillë. Vjersha punon me memorien dhe me ankthin, “a e thashë mirë apo jo?”. Ankthi është i lidhur me harresën dhe harresa të bën të harrosh.
Megjithatë ne vazhdojmë me vjershat edhe pse në 2008-ën, ka dalë një urdhër i Ministrit të atëhershëm të Arsimit që të mos përdoreshin vjershat.
Secili nga ne e kujton një vjershë që e ka mësuar në vitet e largëta kur ishte në fillore apo 8-vjeçare.
“Nga klasa e parë në 8-vjeçaren është mosha kur ti duhet t’i mësosh vjershat. Pas moshës 6 vjeç fëmija duhet të mësojë përmendësh, por do të ishte mirë në grup, nëpërmjet dramatizimit”, u shpreh Lira Gjika, Eksperte për Mirërritjen.
E gjithë Europa, pas viteve ‘50-’60 i ka hequr nga përdorimi metodat e mësimit përmendësh në vegjëli. Është shtruar dialogu, dhe kënga, duke mësuar konkretisht, jo duke thënë përmendësh fjalë, pa kuptim.
Top Channel