JO-ja që i kushtoi jetën! E hodhi nga shkëmbi pas refuzimit, vrasësi që u hoq si i ‘fejuari zemërthyer’

Kemi parë propozime që nuk kanë shkuar siç duhet, përshembull kur vajza thotë “Jo” dhe djali mërzitet. Por rasti i një çifti turk është shokues. Policia ka vënë në pranga Nizamettin Gursu muaj pasi e dashura e tij 39 vjeçare Yesim Demir ra në një humnerë në një qytet të Turqisë veriore më 6 Korrik. Asokohe u raportua si ngjarje aksidentale, por hetimet nxorrën në dritë të vërtetën e hidhur.

Policia zbuloi se unaza që Gursu supozohej t’i jepte Yesim-it ishte akoma në xhepin e tij brenda një kutie. Kjo përbënte kontradiktë me atë që i riu kishte deklaruar, pasi sipas tij e dashura i tha “Po” propozimit për martesë dhe më pas u rrëzua aksidentalisht nga maja e shkëmbit.

Nëse ajo do kishte thënë “Po”, unaza duhet të ishte në gishtin e saj…

Dyshimet u shtuan kur ata gjetën 100 metra poshtë shkëmbit copëza xhami dhe një pajisje muzikore të thyer. Mësohet se familjarët e 39 vjeçares kishin deklaruar më herët se Yesim vuante nga ankthi dhe kurrsesi nuk do i afrohej një humnere të tillë. Madje miq të saj thanë se ajo kishte planifikuar të ndahej nga Gursu.

Në kohën që Demir vdiq, Gursu luajti rolin e të fejuarit zemërthyer. Ai deklaroi në polici se kishte përgatitur skenën më romantike për dashurinë e tij, por pasi pinë alkool ajo humbi ekulibrin dhe ra poshtë. Sipas autoriteteve turke, e reja nuk vdiq në vendngjarje, por prej plagëve të marra ndërroi jetë në spital./tvklan.al