Jeta në paskuinta e grave të forta që fshihen pas dy burrave të suksesshëm të ekranit, Ardit Gjebresë dhe Adi Krastës

Misterioze, diskrete, të zgjuara, e me bukuri që nuk thërret, janë gratë e forta që fshihen pas burrave të tyre të suksesshëm të ekranit, rivalëve të të dielave, Ardit Gjebresë dhe Adi Krastës. Krejt të ndryshën në stil prezantimi, por njësoj të famshëm në botën e televizionit, për çudi gratë e jetës i kanë zgjedhur pak a shumë të ngjashme sa u takon personaliteve femërore që kanë. Ndryshe nga Ardit Gjebrea që është pak më i hapur në ekspozimin e familjes në rrjetet sociale dhe postimin e fotove me bashkëshorten Anila, nga ana tjetër Adi Krasta është mjaft diskret, aq sa është të vështirë të gjesh qoftë edhe një foto çift të tij me bashkëshorten, Brikenën. Ajo është mbështetësja më e madhe në karrierë e Krastës, njësoj si Anila afër me Arditin, ndërkohë që të dyja janë gratë një jetë në krah të tyre. Sa u takon rrjeteve sociale, Anila njihet për dedikimet që i bën Zotit, ndërsa Brikena shumë e përfshirë në artin elitar.

Arditi & Adi: Korridoret ku u përballën me vajzat e panjohura që më pas u bënë gratë e tyre
Po si u njohën djemtë karizmatikë dhe të njohur para ‘90-ës në Tiranë, me partneret e panjohura në publik? Bashkëshortja e producentit dhe moderatorit mjaft popullor dhe të pëlqyer në publik Ardit Gjebresë, përmendet shpesh nga ai vetë dhe publiku, por shfaqet rrallë si imazh. Ajo është një person shumë i veçantë dhe punon pranë Arditit, si koordinatore produksioni tek e “E Diela Shqiptare”. Showman-i njohur rrallë flet për jetën private, por në një nga intervistat për median, ka ndarë disa kujtime nga koha kur u njoh me Anilën, bashkëshortja e cila prej mbi dy dekada i qëndron në krah. “E mbaj mend si sot”, rrëfente Arditi për momentin e parë kur ndeshi me gjimnazisten. “Anila ishte dezhurn tek shkolla “Petro Nini Luarasi” dhe detyra e saj ishte të mos lejonte njerëz të huaj të hynin në shkollë. Tek dera e shkollës ajo më ndaloi te hyrja, por “prepotenca” prej të riu triumfoi; unë hyra dhe fitova fillimisht zemërimin e saj, ndërsa më pas simpatinë dhe kokëfortësinë e saj. Megjithëse që atëherë isha i njohur, ajo nuk pyeti për famën time. ”Por, a e kishte të lehtë Ardit Gjebrea t’i thoshte të dua Anilës dhe si ndodhi? “Tepër e vështirë ishte ta fusja në thes, por më në fund ia dola! Të dua e kemi thënë me puthje më pas e deri më sot e themi çdo ditë”, ka treguar moderatori i njohur në intervistën që ka dhënë para ca kohësh për revistën “Elegance”. Po rivali i tij, Adi Krasta si është njohur me bashkëshorten Brikena, e cila deri para pak vitesh më parë, ka qenë Drejtoreshë e Përgjithshme e Planifikimit Strategjik për Artin dhe Kulturën, në Ministrinë e Kulturës. Tani është mbështetësja kryesore e Krastës në karrierën e tij televizive, që nga dita kur ai i vuri syrin pasi me inteligjencën mashkullore e nuhati menjëherë se ajo ishte për të. “Nuk kam mundur t’i bëj asnjëherë një përkufizim të veçantë dashurisë. Gati nuk kam bërë as përpjekjen e duhur, duke qenë pothuaj i bindur se është për mua një detyrë mbi fuqitë e mia. Por jam i lumtur se kam dashuruar dhe dashuroj të njëjtën grua, që vajzë 23 vjeçare e pashë fare rastësisht të kalonte në korridorin e “Radio Tiranës”, 15 vite më parë. Quhet Brikena Darova Krasta”, ishte kjo përgigjja e Krastës në një nga intervistat e tij të para pak kohësh, kur u pyet se si mund ta përkufizonte dashurinë. Të dy moderatorët janë prindër shumë të përkushtuar të fëmijëve të tyre. Ndërkohë pak a shumë Arditi dhe Adi i takojnë të njëjtit brez, duke qenë se Gjebrea është i datëlindjës 1963, dhe Krasta i vitit 1965. Moderatorët me ndikim të madh në publik janë komentuar gjithmonë si rivalët përballë njëri-tjetrit në ekran, e padyshim gjithmonë të parët.
55