Jeta e Johnny Depp dhe Amber Heard një vit pas gjyqit!

Ka kaluar një vit që nga fillimi i gjyqit mes Johnny Depp dhe Amber Heard. Kur gjithçka filloi, askush nuk e kishte idenë e ndikimit masiv që kishte në mbarë botën. Siç ndodh me çdo debat, të dy yjet e Hollivudit kishin fansat e tyre që luftonin në internet me gjithçka që kishin.

Por tashmë rëndësi ka sesi të dy e kanë kapërcyer këtë fazë të jetës së tyre. Kalimi i një divorci është mjaft sfidues, por bërja e tij në një mënyrë kaq publike duhet të jetë vërtet shumë e vështirë për këdo. Mediat iu drejtuan të dy aktorëve për t’i pyetur se si ata janë një vit pasi u zhvillua ky gjyq. Të dy janë përgjigjur përmes burimeve pranë tyre.

Amber Heard jeton në Malaga të Spanjës. Ajo dëshironte të largohej nga qendra e vëmendjes, dhe donte të rriste vajzën e saj, vogëlushen Oonagh, në qetësi. “Amber mezi priste të largohej nga SHBA me vajzën e saj. Ajo ka jetuar në Spanjë, ku ka më shumë privatësi. Gjyqi ishte përtej stresit për të dhe ajo thjesht donte të largohej nga gjithçka. Ajo ishte e rraskapitur dhe e zhgënjyer nga gjyqi, nga i cili u ndje e keqtrajtuar. Megjithatë, tashmë ajo ka energji të re dhe është e fokusuar në gjërat që i do, është e emocionuar për punën dhe xhirimet që po kryen”, tha një burim pranë “People”.

Ndërkohë Depp ka punuar shumë, duke qëndruar larg dhimbjes që i la kjo sprovë. Nga turneu muzikor me të ndjerin Jeff Beck deri te prodhimet e shumta filmike. Depp është kthyer në punë me shumë projekte. Ai po jeton në fshatin anglez në një rezidencë që bleu në Somerset. “Sapo mbaroi turneu i tij, ai u hodh në xhirimet e Jeanne Du Barry. Xhirimet ishin sfiduese, por Johnny është i emocionuar për rikthimin. Ai po jeton në Evropë që nga gjyqi. Ai po del në takime me gra, por nuk ka të dashur”, tha një burim pranë “People”.

Me te lexuarat